7 perditesime
16:06

Rama: Kush i kundërvihet “Ballkanit të Hapur” është i destinuar të zhgënjehet

Në konferencën për media pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski e ka quajtur të suksesshëm samitin e Ohrit. Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kush heziton t’i bashkohet iniciativës, “humb kohë të çmuar për të përfituar”.

“Më vjen mirë që jemi 5, pavarësisht hezitimeve të mëparshme. Është tryezë-mundësi për të dialoguar për të marrë më të mirën e mundshme. Do të doja dhe dua të jemi 6. Për shkak se është i njerëzve dhe të ardhmes, ‘Ballkani i Hapur’ as nuk ndalet as nuk mbyllet. Kjo është mbase pak, por e sigurt. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton është i destinuar të humbë kohë të çmuar për të përfituar nga kjo nismë”, ka thënë ai.

Kosova është e vetmja që ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë iniciativë. Për herën e parë, në nismë ishin krerët e Malit të Zi dhe të Bosnjës, që deri tash kishin kundërshtuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lavdëruar Ramën duke e cilësuar si lider të fuqishëm.

Vuçiq ka thënë se ideja për “Ballkanin e Hapur” ka qenë vetëm e tij, Ramës dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, kur liderët janë pyetur për të komentuar komentet e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov që i doli në përkrahje iniciativës.

“Është ide e Zoran Zaevit, Edi Ramës dhe e imja. Askush tjetër s’ka marrë pjesë në këtë ide. Ne e dimë ku? Çka? Kush na ka ndihmuar? E dimë se është ide e jona. U takon qytetarëve të Ballkanit të Hapur”, ka thënë Vuçiq.

15:06

Nënshkruhen katër marrëveshje në “Ballkanin e Hapur”

Janë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi në mes të tri shteteve nismëtare të iniciativës së “Ballkanit të Hapur”, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për marrëveshjet për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

14:10

Rama: Ftesa gjithmonë e hapur për Kosovën, askush s’ia zë vendin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e respekton vendimin e Kosovës që të mos marrë pjesë në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Ai ka thënë se vendin e Kosovës nuk mund ta zë askush deri sa ta mbushë vetë ajo.

“Kosova është sovrane. I merr vendimet vetë për veten e vet. Vendi për Kosovën në tryezën e ‘Ballkanit të Hapur’ është aty. Askush nuk e zë e askush nuk e mbush dot nëse s’e mbush vetë Kosova. S’dua të them asgjë më shumë sepse çfarë kam pasur për t’i thënë i kam thënë. Ftesa është gjithmonë e hapur, por respektoj plotësisht vendimin e autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh. E respektoj”, ka thënë ai nga Ohri ku po mbahet samiti i radhës i iniciativës.

Rama ka paralajmëruar sesione të ndara në shtetet pjesëmarrëse për aspektin e sigurisë ushqimore, për atë të energjisë, për lidhjen tregtare e një për turizëm. Po ashtu ka thënë se do të ketë edhe një grup të përbashkët që të gjitha shtett të ndihmojnë njëra-tjetrën për të tejkaluar krizën që vjen si pasojë e luftës që Rusia ka nisur në Ukrainë.

Sipas tij, “të thuash që ‘Ballkani i Hapur’ është projekt i Rusisë është sikur të thuash që Bashkimi Evropian është Jugosllavia e re”.

11:11

Escobar: SHBA-ja e përkrah “Ballkanin e Hapur”, duhet të përfshihen 6 shtetet në nivel të njëjtë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Gjatë fjalimit të tij nëpërmjet një videolidhjeje, Escobar, ka bërë disa propozime, ndërsa ka thënë se nëse kjo iniciativë është e suksesshme atëherë duhet të jetë e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të përfshihen në nivel të njëjtë.

“SHBA-ja e përkrah Ballkanin e Hapur. Duhet punuar jo vetëm në bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe në bashkëpunim për integrim në struktura evropiane. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. Ballkani i Hapur është një nga këto iniciativa. E afron rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, tha Escobar.

Escobar ka thënë se SHBA-ja e sheh Ballkanin Perëndimor nga prizma e shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të. Ai ka vlerësuar se mundësitë janë shumë të mëdha në Ballkan Perëndimor. Escobar ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, ndërsa ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse, qendër e gazit natyror, e të ndihmojë Evropën të lirohet nga varshmëria nga gazi rus.

“Ballkanin e Hapur” e ka quajtur iniciativë shumë të mirë, ndërsa ka propozuar që të ketë bashkëpunim edhe me iniciativa tjera që ekzistojnë në rajon.

“E kuptoni se nuk do të bëhet duplifikim i punëve, por integrim më i mirë”, tha Escobar.

Ai ka thënë po ashtu se liderët duhet të punojnë për të krijuar kushte më të mira për investuesit. Për të ndihmuar investuesit që dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet.

“Më në fund ju mbështet që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet ashtu. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, tha Escobar.

Ai ka premtuar përkrahjen e SHBA-së në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe rritjen e standardeve në pikëkalimet kufitare me teknologjitë më të larta që i ka në dispozicion.


Abazoviq: Politikat e kaluara kanë qenë të konflikteve, t’u jepet shans nismave të reja

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se duhet të ketë një të ardhme më të mirë të bazuar në zhvillimin ekonomik.

Ai ka thënë se në Mal të Zi përveç liderëve aktual pret edhe kryeministrin e Kosovës që në Mal të Zi të shkojnë e të diskutojnë për nismat e reja në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Abazoviqi thënë se pavarësisht nga ajo se si quhen nismat që mund të sjellin progres, do ta kenë mbështetjen e Malit të Zi.

Sipas tij, hapi i parë është që të ketë marrëdhënie të mira dhe dialog.

Ai ka thënë se politika e së kaluarës ka qenë politikë e konfliktit dhe nuk ka sjellë asgjë të mirë.

“Kjo shpie drejt asaj që të mos kemi frikë nga njëri-tjetri dhe së bashku të krijojmë klimë të progresit në rajon. Politikat e fundit, politikat e theksimit të konflikteve të vazhdueshme na kanë mbajtur këtu ku jemi tani. Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Kur kemi liderë të Ballkanit Perëndimor që flasin kundër njëri-tjetrit, atëherë na mbanë sa më larg BE-së. Kur të jemi këtu gjashtë persona atëherë mesazhi drejt BE-së do të jetë ndryshe”, ka thënë ai.

Abazoviqi ka thënë se duhet ndryshuar mentaliteti në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se nëse dikush mendon se i vetëm mund t’i përmbushë të gjitha nevojat atëherë e ka gabim.

Sipas tij, duhet dhënë shans nismave të reja.

“Ne duhet të bëjmë ribrendim të Ballkanit Perëndimor, që të bëhet kjo ne duhet të rrisim besimin mes njëri-tjetrin. Unë pres që edhe me kryeministrin e Kosovës të vini në Malin e Zi dhe të flasim për nismat e reja. Kjo është mënyra e vetme se si mund të dëshmomi para qytetarëve tanë. Mënyra është që temat optimiste të mbizotërojnë. Ideja e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk duhet të shikohet si ide e një politikani. Kjo është ide se si qytetarët mund të shfrytëzojnë ndonjë shërbim më të lehtë. Nëse kjo mbetet dhe zhvillohet si e tillë, atëherë do të ketë ende më shumë mbështetje për këtë ide”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka rëndësi se kush është në pozitë më të mirë integrimi, pasi ideja e të gjithë liderëve është të bëjmë sa më shumë për qytetarët tanë.

Abazoviq ka thënë se politika e së kaluarës ka qenë politikë e konfliktit dhe nuk ka sjellë asgjë të mirë.

E kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, ka thënë se komuniteti i biznesit në vend dhe qytetarët boshnjak e mbështesin këtë nismë, por sipas tij, ata që marrin vendime nuk kanë konsensus.

“Bosnja s’ka konsensus fatkeqësisht për të qenë pjesë e Ballkanit të Hapur. Nuk ka përgjigje serioze pse. Nuk ka as përgjigje negative. Thjesht është një heshtje. Ajo qëndron në sirtar te ata që duhet të vendosin. Shkaqet janë paragjykimet nga e kaluara, se kush është iniciator i kësaj nisme. Dhe normalisht në Bosnjë ka individë, ambasada që marrin vendime dhe që thonë se ende nuk duhet të jemi pjesë e Ballkanit të Hapur. I gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e mbështet këtë nismë. Numri më i madh i qytetarëve mbështet këtë projekt”, ka thënë Tageltija.

Komisionieri evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka thënë se e sheh iniciativën e “Ballkanit të Hapur” shumë pozitive e si ardhmëri që mund të shpije në integrimin evropian.

Ai ka thënë se me eliminimin e barrierave brenda rajonit nis integrimi i vërtetë evropian.

“Isha i kënaqur kur pata dëgjuar fillimisht për mini-Schengenin. Ishte ide e vetë rajonit. Ata e konceptuan dhe shpikën dhe nisën ta shfrytëzojnë këtë ide. Kur për herën e parë pati një plan të investimeve për zgjidhjen e sfidave si rajon, jo si shtete, atëherë kuptuam se pa bashkëpunim rajonal plani për investime ekonomike s’do të arrijë shumë sepse s’mund të ndërlidhet kapitali me rrugë e hekurudha nëse kamionët duhet të ndalen në çdo kufi e çdo gjysmë ore”, ka thënë ai.

10:51

Rama: Sa më shumë të afrohemi, shtohen shanset për paqe mes Kosovës e Serbisë

Duke folur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë shembuj të shteteve të ndryshme për pajtim pas luftërave. Duke folur për pajtimin që kanë pasur pas luftërave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë apo edhe Francës e Gjermanisë, Rama ka thënë se edhe Kosova e Serbia duhet të afrohen me njëra-tjetrën në këtë iniciativë për të rritur shanset për paqe.

“Besoj se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet e të bëhen paqe mes Serbisë e Kosovës. S’kam pajtim me Vuçiqin për Kosovën. Zgjidhja është e thjeshtë. Ose mosdakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka deklaruar Rama në fjalimin e tij.

Sipas tij, pas nisjes së luftës në Ukrainë iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është domosdoshmëri më e madhe se që ishte më herët.

“‘Ballkani i Hapur’ është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe në të cilën nesër fëmijët tanë do të marrin në duar fatet e vendeve tona. Këtë e dinë sot shumë mirë shqiptarët e Shqipërisë që në këshillimin kombëtar me gjysmë milioni qytetarë, ishin mbi 60 për qind në mbështetje të ‘Ballkanit të Hapur’”, ka thënë ai në fjalimin hyrës.

Rama i ka quajtur absurdë dhe të pështirë zërat se lufta në Ukrainë rrezikon të importohet në Ballkan.

“Ne e dimë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë e Rusisë ka një histori. As për t’u informuar se mes Serbisë e Kosovës ka konflikt të pazgjidhur. Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes, kemi zgjedhur të dytën. Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes, pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura por të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi, vetëm nëse ne kuptojmë sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin. I kthehem prapë ambasadorit Christopher Hill që më tha diçka që s’e kisha menduar kurrë. SHBA-ja ka hedhur dy bomba atomike në Japoni. Ndër aleancat më të forta sot e prej shumë vitesh është SHBA-Japoni. Ja ku është sot Japonia. S’do të ishte sot aty, po të vazhdonte të rrinte me kurriz kah Shtete e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike. Të gjitha gjërat kanë radhën e tyre. Ku janë sot Franca e Gjermania? Çfarë po bëjnë sot Izraeli me Emiratet e Bashkuara, pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia dhe gjaku i derdhur e aktet e çmendurisë me asgjë që kemi parë këtu. Janë bashkë. Janë bashkë për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe rruga drejt të ardhmes”, ka thënë Rama.

10:31

Vuçiqi: Prishtina e mirëseardhur në grupet punuese për të ndihmuar ta mbijetojmë dimrin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në nisjen e samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër, ka thënë se duhet që sa më shpejt të formohen grupet punuese të përbashkëta të shteteve të rajonit për të përgatitur rajonin për t’i tejkaluar vështirësitë me furnizim të ushqimit e të tejkalohet dimri. Edhe pse Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë, Vuçiq ka thënë se “janë të mirëseardhur të gjithë që duan të vijnë, edhe përfaqësuesit e Prishtinës”.

“Kjo është iniciativë e atyre që e kanë kuptuar se duhet të lidhen e vetë mund t’i zgjidhin problemet. S’kemi asnjë kërkesë ndaj askujt përveç se të jemi miq”, ka thënë Vuçiq.

10:23

Nikoqiri i “Ballkanit të Hapur”: Ftesa për Kosovën mbetet e hapur

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se ftesa që Kosova t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur” është ende e hapur.

“Kjo nismë do të bëhet edhe më atraktive. Sot me ne janë edhe përfaqësuesit e Malit të Zi dhe të Bosnjës. Ftesa për kryeministrin e Kosovës është e hapur. Do të kenë përfitime edhe shtetasit e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai e ka cilësuar “Ballkanin e Hapur”, iniciativë për evropianizimin e rajonit. Si nikoqir i samitit që ka nisur në Ohër, Kovaçevski ka bërë thirrje që kjo iniciativë të heqë “edhe më tej barrierat ekonomike”.

“Të ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyra evropiane dhe të mos e bllokojmë veten”, ka thënë ai në fjalimin hapës.

Sipas tij, në botë është tash koha që kërkon vendime të përbashkëta. Kovaçevski ka thënë se përkushtimi i liderëve pjesëmarrës është për “jetë më të mirë të popujve”.

Për herë të parë në këtë iniciativë, pos Maqedonisë, Serbisë e Shqipërisë si nismëtare, po marrin pjesë edhe liderët e Malit të Zi dhe të Bosnje e Hercegovinës. Kosova është e vetmja jashtë.

09:36

Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Ohër, agjenda

Liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë janë mbledhur në Ohër në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Derisa të martën mbrëma ka pasur një darkë pune mes liderëve dhe delegacioneve, sot në ora 10:00 do të bëhet hapja e samitit “Ballkani i Hapur”, ndërsa vetëm 45 minuta më vonë do të mbahet seanca e parë plenare me temë kryesore turizmin.

Në ora 11:15 do të mbahet një seancë koordinuese e liderëve me komunitetin ndërkombëtar.

Seanca e dytë plenare është planifikuar të nisë në ora 12:15 më temë kulturën.

Mesdita është e planifikuar për takime bilaterale të liderëve.

Në ora 13:30 është paraparë ceremonia e nënshkrimit të katër marrëveshjeve, atë për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Më pas, kryeministri shqiptar, Edi Rama, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq do të mbajnë një konferencë për shtyp.

Të tre liderët më pas do të kenë një vizitë në manastirin e Shën Naumit si dhe do të ketë një eksplorim të burimeve të liqenit të Ohrit me varkë.

Pas orës 15:30 do të mbahet ceremonia e dhënia e çmimit të lidershipit rajonal për nismën e “Ballkanit të Hapur” për kryeministrin Rama, kryeministrin Kovaçevski dhe presidentin Vuçiq nga kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, në 100-vjetorin e kësaj dhome.

Përpos tre liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, po merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina janë ende jashtë saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte refuzuar ftesën e homologut maqedonas Kovaçevski për pjesëmarrjen në takimin e Ohrit./KSP