1 perditesime
19:01

Bajram Begaj zgjidhet president i Shqipërisë, Berisha nis akuzat

Shqipëria, prej 4 qershorit ka presidentin e saj të zgjedhur. Ai është Bajram Begaj, i propozuar mbrëmjen e së premtes nga Partia Socialiste që ka dhe mazhorancën qeverisëse në Shqipëri. Nga 83 deputetë që kanë marrë pjesë në votimin e mbrëmjes së shtunë, 78 kanë votuar për, katër kundër dhe një abstenim. Mazhoranca ka në total 74 mandate, ndërsa 3 i ka Partia Social Demokrate që është në koalicion me PS-në, ndërsa një deputet nga opozita ka votuar për presidentin e ri.

Nga opozita kanë votuar Mesila Doda, Shpetim Idrizi, Nusret Avdullai, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho, por nuk dihet se cili ka dhënë votën për. Menjëherë sapo emri i tij u lakua si president, deputetët e pranishëm në sallë kanë shpërthyer në duartrokitje, ndërsa vetë Begaj me dorë në zemër i ka falënderuar dhe më pas i takoi një për një. Ndërkohë që Sali Berisha dhe përkrahësit e tij u larguan nga votimi për presidentin, deputetë të tjerë opozitarë kanë dhënë votën e tyre.

Bajram Begaj ka mbajtur postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Shqipërisë, por të shtunën ai dha dorëheqjen. Ndërsa, presidenti në detyrë, Ilir Meta, nga Stambolli ka firmosur dekretin për lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, të gjeneralmajor Bajram (Rushit) Begajt. Por, ky veprim i presidentit në detyrë është konsideruar antikushtetues nga kryetari i zgjedhur i PD-së, Sali Berisha, i cili ka dalë kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të pranuar dorëheqjen e Bajram Begajt nga postet ushtarake. Jashtë objektit të Parlamentit, në një prononcim për media, Berisha ka thënë se presidenti e humb fuqinë për dekretet në momentin që është jashtë vendit.

“Presidenti humb fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kur je jashtë vendit, kryetar shteti është kryetari i Parlamentit. Ky është rregulli i Evropës. Nuk e imagjinonim që mund të kishte një shkelje të tillë kushtetuese. Jemi në kushtet e shkeljes flagrante të Kushtetutës. Ndaj kërkova ta bëj këtë deklaratë në Kuvend, por zonja Lindita që e ka si me çelës Parlamentin, nuk ma dha fjalën. Nuk ka sallë asambleje në botë, përfshirë ajo e OKB-së, që kur kërkon fjalën për çështje procedure, nuk të jepet fjala, kjo ndodh vetëm në Parlamentin shqiptar, që znj. Lindita e përdor si dyqanin e vet”, ka thënë Berisha. Ish-kryeministri ka folur jashtë Parlamentit edhe në lidhje me kandidatin për president, Bajram Begaj. U shpreh kundër kësaj kandidature, por kur gazetarët i kujtuan që ai ka qenë në SHBA, Berisha solli në vëmendje se edhe Saimir Tahiri ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu, Berisha u shpreh se Bajram Begaj e ka firmën në dokumentet e plaçkitjes së bazës në gjirin e Palit dhe në Sarandë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se presidenti Ilir Meta shkeli Kushtetutën pasi firmosi jashtë Shqipërisë dekretin e lirimit nga detyra të Bajram Begajt. Sipas Ballës, i gjithë procesi është kushtetues, duke theksuar se është çështje e Berishës nëse kërkon që ta shohë Ilir Metën në Gjykatë Kushtetuese.

“Të thuash që kjo çështje, ose të thuash që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është tokë shqiptare, por turke është njësoj sikur ka thënë dikur që deti i Shqipërisë është i Greqisë. Procesi është kushtetues, e drejta për t’u zgjedhur i garantohet gjithkujt. Kuvendi ka pritur procedurën e nisur nga Ministria e Mbrojtjes, kryeministri dhe më pas nga presidenti. Nëse Berisha është i kënaqur nga Meta dhe kërkon ta shohë Metën në Gjykatë Kushtetuese le ta provojë, është çështje e tij”, ka thënë ai. Sipas Ballës, Bajram Begaj do të jetë një president konsensual.

Menjëherë sapo Parlamenti votoi Bajram Begajn si president të ri të Shqipërisë, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Në një komunikim me gazetarët, Rama u shpreh se u arrit objektivi dhe se tashmë Shqipëria ka një president normal. Rama nuk komentoi votat, po ka thënë se rëndësi ka që ky proces është kurorëzuar me një provë, që PS-ja është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten.

“Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kishim që në krye të herës, të gjitha reagimet flasin për këtë. Përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike flas përtej kësaj. Që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit dhe humanizmit dhe përkushtimit për vendin dhe njerëzit. Rëndësi ka që ky proces është kurorëzuar me një provë, që PS-ja është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten”, ka thënë Edi Rama.

Ka komentuar edhe informacionet se në SPAK ka pasur një padi ndaj presidentit të ri, Bajram Begaj. Rama u shpreh se kjo nuk i bën përshtypje pasi paditë në Shqipëri janë kthyer në sport kombëtar. Ndërkohë, duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Rama ka deklaruar se nuk priste asnjëherë që të gjente një konsensus me të “vdekurit”, duke iu referuar kështu ish-kryeministrit dhe kryetarit të zgjedhur të PD-së, Sali Berisha.

Presidenti i zgjedhur, Bajram Begaj, (55) do të marrë detyrën më 24 korrik, kohë në të cilën i mbaron mandati kushtetues presidentit aktual, Ilir Meta, pasi ta bëjë betimin në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjeneralmajor Bajram Begaj u lind më 20 mars 1967 në Rrogozhinë. Në vitin 1989 ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Mjekësisë dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Begaj, për një periudhë trevjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës.

Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar kursin e lartë për sigurinë dhe mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë, Tiranë. Gjithashtu, ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, kursin e lartë ndërkombëtar të menaxhimit të mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, seminarin e lartë ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë, si dhe mban titullin “Profesor i asociuar” në Mjekësi.

18:28

Kuvendi i Shqipërisë nis seancën e zgjedhjes së presidentit

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur rreth orës 18:00 seancën për votimin e presidentit të ri. Kandidati Bajram Begaj do të votohet me votim të fshehtë.

Sipas Kushtetutës, Begaj duhet të marrë të paktën 71 vota që të zgjidhet president.

Të pranishëm në sallë janë deputetët e shumicës qeverisëses si dhe një pjesë e opozitës.

Prezent aktualisht janë 26 deputetë të opozitës, përfshirë ata të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe aleatëve të vegjël.

Në Kuvend është i pranishëm dhe vetë kandidati Begaj, shkruan “Euronews Albania”.

Pak pas nisjes së seancës, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi fjalën për procedurë por kjo gjë u refuzua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kjo solli më pas braktisjen e seancës nga një pjesë e deputetëve të opozitës.

Berisha duke folur jashtë sallës së Kuvendit ka thënë se votimi bëhet në shkelje të Kushtetutës

“Neni 167 të Kushtetutës përcakton se ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet dhe as nuk mund të zgjidhet në detyra të tjera përveç ushtrisë”, tha Berisha.

“Kandidon si President si shef i Shtabit të Përgjithshëm. Akti i dorëheqjes është tërësisht i pavlerë”, shtoi Berisha.

Begajt më herët gjatë ditës presidenti Ilir Meta ia dekretoi dorëheqjen.

 
Seancë Plenare 4 Qershor 2022

Seancë Plenare 4 Qershor 2022 Rendi i ditës: 1. Zhvillimi i votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës

Posted by Kuvendi i Shqipërisë on Saturday, June 4, 2022