Një rrahje mes të pranishmëve në sallën e gjykimit ka bërë që të ndërpritet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Remzi Shala.
Siç ka njoftuar kjo gjykatë, incidenti ka ndodhur në kohën sa po dëgjohej një dëshmitar.
Është dashur të intervenonte policia për të ndërprerë rrahjen dhe për të liruar sallën e gjykimit. Sipas njoftimit, Policia ka dërguar forca shtesë dhe ka arrestuar të dyshuarit.
Në sallë të gjykatës kanë qenë të pranishëm të dëmtuarit dhe familjarë të tyre, i akuzuari nën përcjellje të gardianëve të burgut, dhe familjarë të tij të afërt.
Siç ka mësuar KOHA, familjarët e njërit të dëmtuar, janë rrahur me familjarët e të akuzuarit. Ka pasur hedhje me shishe plastike e më pas edhe me karrige. Të gjithë janë duke u marrë në pyetje.
Përleshja ka nisur pasi fillimisht i akuzuari dhe të dëmtuarit nisën fjalosjen e ofendimet.
Gjykata ka thënë se i ka ofruar bashkëpunim Policisë duke i vënë në dispozicion kamerat e sigurisë.