Arbëri

Dorëzohen edhe rreth 100 kallëzime penale për krimet e Serbisë

Descriptive Text

Në Policinë e Kosovës janë dorëzuar të martën rreth 100 kallëzime penale për krime lufte të kryera nga forcat e Serbisë në Komunën e Gjakovës. Deponimin e kallëzimeve e ka bërë shoqata “Gjakova ’98 ’99”, përfaqësues të së cilës kanë thënë t’i kenë bashkëngjitur edhe shumë dëshmi, përfshirë ato për 100 persona që pretendohet se kanë kryer masakrat. E, në Polici dhe në Prokurorinë Speciale nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur me kallëzimet e deritashme të dorëzuara nga kjo shoqatë

Mbi 7 mijë e 300 persona që kanë qenë pjesëmarrës në kryerjen e masakrave në Komunën e Gjakovës, janë identifikuar vetëm nga shoqata “Gjakova 98’ ’99”. Emrat e këtyre personave nga e marta gjenden edhe në duart e zyrtarëve policorë, në kuadër të Departamentit për krime lufte.

Shkëndije Hoda, drejtuese e shoqatës, ka folur për emrat.

“Ne kemi një shifër marramendës që kemi gjetur, te dokumentacioni me lista me emrat e pjesëmarrësve, si mercenarë, si të rregullt, informacioneve të ndryshme, brigadave të ndryshme që kanë operuar në Komunën e Gjakovës. Tani kemi identifikuar mbi 7 mijë e 300 pjesëmarrës në luftën në Komunën e Gjakovës. Po vazhdohet ende, sepse janë listat e gjata, dhe po duhet të kemi kujdes që të mos përsëriten emrat e kriminelëve”, ka thënë ajo.

Në këtë shoqatë kanë thënë se nga viti 2018 kanë identifikuar tri raste të dhunimeve seksuale, dy prej të cilave i kanë çuar në Prokurori, ndërsa një në Polici.

Rreth 100 kallëzime penale, që përmbajnë dëshmi të krimeve të kryera në Komunën e Gjakovës nga forcat serbe, janë dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Liridona Binaku, zëdhënëse e shoqatës “Gjakova ’98 ’99”, ka thënë ta kenë dorëzuar kontingjentin e 16 të padive, që kryesisht kanë të bëjnë me dëshmi për masakrën e Mejës.

“Janë të gjitha padi që janë të dokumentuara. Edhe fotografitë që i ka shoqata dhe janë të dokumentuara të gjitha krimet që janë kryer: masakra të fëmijëve, pleqve, nënave e të tjerëve... Ka dëshmi të mjaftueshme që dokumentojnë mjaft krimet që janë kryer”, ka thënë Binaku. “Në pothuajse të gjitha paditë përmenden emrat, sepse janë të njohur të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Gjakovë”.

Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, kallëzime penale do të dorëzohen edhe më tutje, për të vënë para përgjegjësisë kryerësit, si për dëmet materiale të shkaktuara në atë pjesë, po ashtu edhe për torturat njerëzore e për marrjen e pengjeve të luftës.

“Puna jonë nuk do të thotë që do të mbarojë me kaq. Këtu ka përfunduar pjesa e kallëzimeve penale që ka të bëjë me masakra dhe vrasjet. Ndërsa, tash e tutje ne do të merremi me kallëzime të tjera penale, me kallëzimet të cilat kanë të bëjnë me pengjet e luftës që janë marrë, me torturat e po ashtu edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar në luftën e fundit në Komunën e Gjakovës”, ka thënë Binaku.

Prokuroria Speciale tri javë më parë ka njoftuar se prokurorja e rastit ka dalë në vendin ku është kryer masakra e Mejës, në të cilën 23 vjet më parë janë vrarë mbi 370 persona. Sipas organit të akuzës, janë duke hetuar për këtë masakër, e po kështu kanë identifikuar edhe kryerësit.

E, sipas Hodës, vizita e prokurores, në vendin ku janë kryer masakrat më të mëdha në Gjakovë, dëshmon se po punohet dhe se së shpejti do të dalin me diçka konkrete për këtë rast.

“Fakti që prokurorja e ka vizituar Mejën dhe Urën e Taliqit tregon që ka diçka pozitive. Ata kanë vizituar këto vende para dy jave dhe i kanë shpallur si zona të krimit. Në besojmë që shumë shpejt do të marrim informacione, qoftë nga Prokuroria, qoftë nga Policia”, ka thënë ajo.

Por, institucionet kanë zgjedhur të heshtin.

As zyrtarët e Policisë dhe as ata të Prokurorisë Speciale, e cila ka trashëguar kompetencat për të hetuar krimet e luftës, nuk treguan të martën për rezultatet pas kallëzimeve penale, të dorëzuar ndër vite nga shoqata “Gjakova 98’ ’99”.

KOHA ditë më parë ka raportuar se si dëshmitë e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit vazhdojnë t’i rezistojnë kohës, por se ato nuk janë vizituar as nga hetues e as nga prokurorë.