Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është takuar me disa figura politike të komunitetit serb në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, Hovenier ka thënë se ndër pikat më të forta të Kosovës është diversiteti i saj.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Hovenier ka thënë se me këta përfaqësues ka diskutuar se si liderët e komunitetit, vetëm duke punuar bashkë mund të sigurojnë që Kosova të ketë rezultate të mira për qytetarët e saj.
“Diversiteti i Kosovës është ndër pikat e saj më të forta. Është mirë të dëgjosh nga zëra të ndryshëm që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës dhe të diskutosh se si liderët e komunitetit duke punuar së bashku mund të sigurojnë që Kosova të sjellë rezultate për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë ai.
Ky takim është zhvilluar midis Hovenierit dhe politikanëve Rada Trajkoviq, Nenad Rashiq dhe drejtorin e TV MIR, Nenad Radosavljeviq, që po ashtu ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës.