Arbëri

Njëqind padi të tjera për vrasjet dhe masakrat e kryera në Gjakovë

Shoqata për Krimet e Luftës Gjakova ’98 -’99, ka dorëzuar të martën kontingjentin e 16-të të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë dhe të fundit për këto vepra të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Mbi 100 padi janë bërë për vrasjet dhe masakrat që kanë ndodhur në territorin e komunës së Gjakovës.

Kontingjenti i 15-të ishte dorëzuar në shkurt, me rreth 80 padi. Gjithsej kanë dorëzuar me qindra padi.

Koordinatorja e kësaj shoqate, Liridona Binakaj, deklaroi se tani e tutje do të merren me përgatitjen e padive që kanë të bëjnë me personat e zhdukur me forcë, me torturat por edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar si pasojë e luftës.

“Puna jonë nuk do të thotë që do të mbarojë me kaq, këtu ka përfunduar pjesa e kallëzimeve penale që ka të bëjë me masakra dhe vrasjet. Ndërsa, tash e tutje ne do të merremi me kallëzime të tjera penale, me kallëzimet të cilat kanë të bëjnë me pengjet e luftës që janë marrë, me torturat e po ashtu edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar në luftën e fundit në Komunën e Gjakovës”, tha ajo.

Binakaj theksoi se paditë me krimet e realizuara janë të dokumentuara me fotografi, ndërsa ka edhe emra të autorëve të këtyre masakrave.

Drejtuesja e shoqatës, Shkëndije Hoda, deklaroi se fakti që prokurorët kanë qenë në dy vende ku janë krye dy masakra të mëdha në Gjakovë, si fshati Mejë si dhe tek Ura e Taliqit, dëshmon se këto kallëzime penale po sjellin lëvizje pozitive.

Sipas saj, deri më tani janë identifikuar mbi 7.300 pjesëmarrës në vrasjet dhe masakrat e kryera. Kryerësit e veprave janë mercenarë të formacioneve të ndryshme ushtarako-policore serbe që kanë operuar në Gjakovë.

Po ashtu, që nga viti 2018, nga kjo shoqatë thonë se i kanë identifikuar tri raste të dhunimeve seksuale, dy prej të cilave kanë shkuar në prokurori, ndërsa një është paraqitur në polici.

Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, në Komunën e Gjakovës u dogjën 6200 shtëpi banimi dhe objekte të tjera përcjellëse, 47 objekte kulturore historike e fetare, 18 objekte shëndetësore, 23 shkolla dhe 80 për qind e infrastrukturës u shkatërrua.

Gjatë luftës ranë 180 dëshmorë, u zhdukën 609 persona, u vranë 645 civilë dhe u plagosën 324. /ksp