Arbëri

Shtetasit e huaj në institucione kosovare lirohen nga deklarimi i pasurisë

Komisioni për Legjislacion e Mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka kaluar sot një propozim që shtetasit e huaj që janë të emëruar në institucione, të përjashtohen nga obligimi për ta deklaruar pasurinë.

Në prezantimin e përfundimeve të grupit punues për Projektligjin për Deklarimin e Pasurisë, kryesuesi i këtij grupi, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ndryshimet kryesore janë mosdeklarimi i atyre që nuk kanë pasaporta të Kosovës dhe që emërohen nga institucionet.

Ndryshime të tjera të projektligjit të ri sipas tij, janë edhe që deklarimi të bëhet në formë elektronike, këshilltarët e kuvendeve komunale (asamblistët) nuk kanë më obligim ta deklarojnë pasurinë, kontrolli periodik do të jetë më i madh dhe se shorti për kontroll të plotë të pasurisë nuk parashihet në këtë projektligj.

Përjashtimi i të huajve të emëruar në institucione nga obligimi për deklarim të pasurisë, është mbështetur nga deputetë të pushtetit dhe opozitës.