Arbëri

Kuvendi i Shqipërisë dështoi të zgjedhë presidentin konsensual

Kuvendi i Shqipërisë dështoi edhe në raundin e tretë të zhvillojë një proces votimi me kandidatë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Pas konsumimit të tre raundeve të para, tashmë i jepet mundësia mazhorancës që të zgjedhë një president të sajin në raundin e katërt, ku kërkohet një shumicë e thjeshtë prej 71 votash.

Dështimi i raundit të tretë, që i jep fund zgjedhjes së presidentit me shumicë të cilësuar (84 vota) erdhi pas tentativa jo serioze për bisedime që do të çonin drejt zgjedhjes së një presidenti konsensual në tre raundet e para.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha pas seancës se partia e tij do të bënte më në fund një propozim konkret për president në raundin e katërt dhe se do të synohej që ai të merrte edhe votat e opozitës.

“Ne nuk do ta lëmë vendin pa president, por duke ndjekur procesin e duke dialoguar me secilin që do të bashkëpunojnë,” tha Balla, duke shtuar se synimi është që “presidenti të jetë një autoritet moral dhe të mos jetë i PS-së, por i gjithë shqiptarëve”.

Balla akuzoi opozitën se nuk mori përgjegjësinë e saj për të marrë pjesë në proces me propozime konkrete. Një pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që u përfshi në bisedime nuk ishte e pranishme në seancën plenare të raundit të tretë që u mbajt të hënën. Kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj e cilësoi raundin e tretë një shans të humbur për t’i dhënë shqiptarëve një institucion që do të kishte legjitimitetin e palëve.

Më herët ai i kishte ofruar mazhorancës një propozim për negociata politike për të finalizuar me një emër që të ishte mbi palët.

“Dokumenti ynë nuk ishte për të ecur me agjendë individuale, por të përbashkët. Të ishte një proces në dritë të diellit, jo kulisave,” tha ai pas seancës.

Alibeaj bëri të ditur se grupi që ai drejton nuk do të bojkotojë raundin e katërt.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Procesi i votimit është i fshehtë dhe në tre raundet e para, president zgjidhet një kandidat që merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se dështon zgjedhja e presidentit dhe në raundin e fundit, Kuvendi shpërndahet dhe mbahen zgjedhje të reja parlamentare.

Presidentët shqiptarë në periudhën postkomuniste veçojnë vetëm në një rast që është zgjedhur në mënyrë konsensuale dhe ky ka qenë Alfred Moisiu. Me 30 prill të vitit 1991 president i Shqipërisë u zgjodh udhëheqësi i fundit komunist Ramiz Alia i cili mori vetëm votat e deputetëve të Partisë Punës. Ramiz Alia qëndroi në këtë detyrë më pak se një vit, pasi dhe dorëheqjen me 3 prill të vitit 1992, pas fitores së Partisë Demokratike me 22 mars të atij viti. Sali Berisha ishte presidenti i parë antikomunist në Shqipëri i cili u zgjodh me 9 prill të vitit 1992 me shumicë të cilësuar, pasi i kishte votat e partisë dhe koalicionit qeverisës të dalë pas zgjedhjeve të 22 marsit të atij viti. Berisha u rizgjodh në këtë detyrë me 3 shkurt të vitit 1997, me shumicë të cilësuar votash të Partisë Demokratike dhe partive aleate, por qëndroi në detyrë vetëm pesë muaj, pasi dha dorëheqjen, pas fitores së socialistëve në qershor të vitit 1997.

Pas dorëheqjes së Berishës, me 24 korrik të vitit 1997, president i Shqipërisë u zgjodh Rexhep Meidani. Edhe Meidani u zgjodh me shumicë të cilësuar votash, pasi partia Socialiste dhe aleatët kishin në parlament më shumë se 84 deputetë. Ndërkohe që presidenti i parë dhe I fundit konsensual në Shqipëri ka qenë Alfred Moisiu. Ai ishte kandidatura e vetme e propozuar nga një grup prej 20 deputetësh, por që mori votat e të gjitha grupeve parlamentare. Bamir Topi i cili pasoi Alfred Moisiun në këtë detyrë u zgjodh president me 24 korrik të vitit 2007, ku mazhoranca e kryeministrit Sali Berisha nuk e kishte shumicën e cilësuar. Zgjedhja e Bamir Topit si president i Shqipërisë u bë i mundur pas trafikimit të pesë deputetëve socialistë që votuan pro Bamir Topit. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, presidenti i Shqipërisë zgjidhet me shumicë të thjeshtë(71 vota) në raundin e katërt dhe të pestë. Këto ndryshime i hapën rrugën presidentëve Bujar Nishani e Ilir Meta të zgjidhen president vetëm me votat e partive apo koalicioneve që ato përfaqësonin.