Arbëri

Kurti paralajmëron shtim të investimeve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimet e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të frytshme, ndërsa ka paralajmëruar se në Kosovë do të shtohen investimet.

“Në SHBA kam takuar shtatë senatorë, katër demokratë dhe tre republikanë dhe 12 kongresistë, nëntë demokratë dhe tre republikanë. Këto takime tubime ishin përmbajtësore, miqësore e të frytshme. Në Kosovë do të shtohen edhe investimet edhe siguria”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë mbledhje ai ka njoftuar se gjatë këtij viti do të mbahen zgjedhjet e brendshme të partisë që e drejton.

“Viti 2022 është i veçantë edhe për një gjë tjetër. Është vit zgjedhor për lëvizjen tonë. Është tejet i rëndësishëm, krijon bazën e legjitimitetin e organizimit tonë politik për katër vjet e ardhshme. Është e rëndësishme përfshirja e sa më shumë anëtarëve. Strukturat tona duhet të kenë përgjegjës të përgjegjshëm, të sinqertë dhe me vullnetin për të bërë ndryshime përparimtare në nivel lokal e qendror. Ne duhet të reflektojmë shoqërinë tonë siç është e përbërë, si organizatë ku respektohen të drejtat. Në zgjedhjet e brendshme më 15 mars, janë zgjedhur e miratuar të gjitha komisionet e qendrave që e mbikëqyrin procesin e brendshëm zgjedhor. Procesi ka nisur në 10 qendra, e janë organizuar zgjedhje në 40- pika. Deri tani janë zgjedhur drejtuesit e delegatët e dy organizatave të Lëvizjes, ajo e Gruas për Vetëvendosje dhe Rinisë për Vetëvendosje. Duhet theksuar që zgjedhjet në nivelin e parë organizim të mbarojmë më 15 korrik. Duhet punë e madhe e angazhim jashtëzakonshëm. Duhet fuqizuar dy organet me rëndësi të madhe”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për të arriturat në një vit qeverisje, duke thënë se pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, janë duke u bërë përgatitjen për anëtarësim Programin për Paqe dhe Partneritet që hyn në kuadër të NATO-s, si dhe shumë shpejt do të ketë aplikim për anëtarësim edhe në Bashkimin Evropian.

“Imazhi i Kosovës ka një përmbajtje të re dhe më tërheqëse sikurse në drejtim politik ashtu edhe ekonomik. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin edhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shtuar ai.

Kurti ka përmendur edhe mbështetjen për punëtorët e sektorit publik dhe privat me shumën prej 100 eurosh, për çka tha se nuk u janë prekur kontributet.

“Të rinjve nën moshën 35 vjeçare po ua rrisim pagën minimale për 103 për qind, kurse atyre mbi 35 vjeç për 55 për qind. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë dhe kjo pagë nuk do të tatimohet, ashtu siç kishim premtuar. Punësimin e mbështetem edhe me pakon e ringjalljes ekonomike. Mbi 1 mijë punëtorë u rikthyen në punë pas humbjes së vendeve të punës gjatë pandemisë , mbi 4 mijë punëtorë, burra e gra përfituan nga mbështetja e punëtorëve të formalizuar e mbi 4 mijë gra përfituan nga masat për mbështetjen për punësimin e grave. Mbështetje shtesë për punëtorët e sektorit publik dhe privat me shumën 100 euro pa ua prekur kontributet“, ka thënë ai.