Arbëri

Çalimi në shqip shtron nevojën për përmirësim të edukimit gjuhësor

Descriptive Text

Në jo pak tekste shkollore nga të cilat mësojnë nxënës të shkollave fillore hasen gabime drejtshkrimore e përmbajtjesore. Autorët e tyre janë në mesin e të diplomuarve e me edukim të mangët gjuhësor. Profesorë të gjuhës thonë se për të përmirësuar edukimin gjuhësor, përpjekjet duhet të shtohen që në shkollimin fillor

Gabimet drejtshkrimore e përmbajtjesore nga qytetarët e rëndomtë e deri te krerët e institucioneve të Kosovës kanë vënë në pah edukimin e mangët gjuhësor që kanë njerëzit në Kosovë.

Profesori i gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë, Bardh Rugova, që përditë përballet me studentë që nuk e zotërojnë plotësisht gjuhën standarde, ka thënë se për të përmirësuar edukimin gjuhësor, përpjekjet duhet të shtohen në shkollimin fillor.

“Po ka gabime të njerëzve që diplomojnë, por ka gabime edhe të fushave të tjera. Kjo tregon se është një far qarku i keq që vjen prej klasës së parë, pastaj ai diplomon, bëhet mësimdhënës dhe vazhdon ky qark në përgjithësi, dhe këtu kemi nevojë të bëjmë një ndryshim, duhet të kemi politika që janë të mbështetura në fakte”, ka thënë ai.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” para pesë vjetësh kishte dhënë propozimin që parashihte futjen e gjuhës shqipe si lëndë të obligueshme për studentët e të gjitha fakulteteve në UP. Vendimi ishte kritikuar, meqë konsiderohej se për gjysmë viti nuk mund të mësohej ajo që nuk ishte mësuar gjatë shkollimit parauniversitar.

Në mesin e fakulteteve që nuk u përfshi fare si lëndë është edhe ai i Bujqësisë dhe Veterinarisë. Sipas sekretarit të fakultetit të Bujqësisë, Skender Musaj, nuk kanë pasur hapësirë në plan-programin e tyre për përfshirjen edhe të gjuhës shqipe.

“Për përfshirjen e gjuhës shqipe është dashur që të heqim një nga lëndët e programit dhe ne e kemi parë më të nevojshme përfshirjen e lëndëve që përshtaten me drejtimin”, ka thënë ai.

Dea Lala, studente në vitin e tretë në drejtimin “Prodhimtari Bimore” në Fakultetin e Bujqësisë, ka thënë se është e nevojshme futja e gjuhës shqipe, si një mundësi që dija profesionale të mos shoqërohet me një shqipe të çalë. “Unë mendoj që mësimi i gjuhës shqipe i takon pjesës parauniversitare, po duke e marrë parasysh që ky nivel ka shumë raste që nuk i përmbush aftësimin e nxënësve për përdorimin e saktë edhe të drejtë të gjuhës shqipe. Mendoj që duhet ta ketë vendin e vet edhe gjuha shqipe në nivelin universitar”, ka thënë ajo, duke shtruar se gabime në të shkruarit dhe në komunikim vërehen edhe te stafi akademik.

“Në fakultetin tim jepet gjuha angleze si lëndë në disa drejtime, por jo edhe gjuha shqipe. Problemet dhe mangësitë në përdorimin e gjuhës shqipe ekzistojnë dhe janë evidente jo vetëm te studentët, por edhe te stafi administrativ e në raste edhe te stafi akademik, gjë që mendoj se është shqetësuese”, ka thënë studentja e Fakultetit të Bujqësisë.

Universiteti i Prishtinës nuk ka në plan që lëndën shqipe ta përfshijë në secilin program studimi.

Prorektori i UP-së, Elton Bahtiri, ka thënë të ketë pasur vështirësi në implementimin e vendimit të mëhershëm, për shkak të mungesës së stafit akademik.

“Ne kemi në Universitetin e Prishtinës mbi 150 programe studimore. Tash imagjino sa numër i madh i stafit nevojitet që t’i mbulojë gjithë ato orë. Sigurisht që ndërveprimi i tyre me studentë nuk do të ishte në një shkallë të kënaqshme. Brenda një semestri, çdo program studimor ka 30 kredi dhe me rastin e futjes së një lënde të tillë, sigurisht se duhet larguar një lëndë”, ka thënë Bahtiri, i cili shtoi se ende e përcjellin si rekomandim te fakultetet që të krijojnë hapësirë për përfshirjen e lëndës së gjuhës shqipe.

Gabime drejtshkrimore mund të gjenden edhe në tekstet shkollore, si dhe në shumë dokumente të tjera, të cilat bëhen publike nga organizatat dhe mekanizmat e tjerë në Kosovë.

KOHA ka raportuar se në librin shkollor “Matematika 3” vërehen gabime të shumta drejtshkrimore e përmbajtjesore.

Në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, vazhdimisht ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk është në nivelin e duhur.