Arbëri

Rriten rastet kur gratë i nënshtrohen dhunës së familjarëve të bashkëshortit

Nga janari i këtij viti e deri në mars janë raportuar në Polici 697 raste të dhunës në familje. Nga këto raste, 581 viktima kanë qenë gra. Disa nga viktimat janë akomoduar në qendra strehimi, e drejtues të këtyre qendrave kanë treguar se sivjet është rritur numri i rasteve të dhunës nga familjarë të bashkëshortit. Si sfidë për viktimat kanë përmendur integrimin, pas përfundimit të kohës së qëndrimit në strehimore

Mbi 70 gra e fëmijë të Komunës së Prishtinës, të cilët ishin viktimë e dëshmitarë të dhunës në familje, gjetën strehë në një shtëpi disakatëshe në 5 muajt e vitit 2022.

Por, jo të gjithë përjetuan dhunë nga bashkëshorti apo i dashuri i tyre. Përveç dhunës nga bashkëshorti, kohët e fundit janë shtuar rastet e raportuara të dhunës ndaj gruas nga familjarë të tij, që kryerës të veprave dalin të jenë prindërit e bashkëshortit ose kunetërit.

Në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë kanë treguar se në këtë pjesë të vitit ka numër të madh të kërkesave për strehim pas dhunës në familje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Zana Allsani, drejtoreshë në këtë qendër, thotë se në kohën e fundit, nuk janë vetëm rastet e dhunës fizike prezentë. Ajo ka thënë se viktimat përballen edhe me lloje të tjera të dhunës.

“Përpara ka qenë më e theksuar dhuna fizike, por tani kemi edhe lloje të tjera të dhunës: dhunë psikologjike, dhunë ekonomike, ndalimi i së drejtës për t’u punësuar viktima”, ka thënë drejtoresha Asllani. “Është e vërtetë që brenda këtij viti kemi pasur diku 4 ose 5 raste që ka pasur dhunë prej prindërve të bashkëshortit apo edhe familjarëve të tjerë të bashkëshortit, dhe është më e theksuar se viteve të tjera”.

Në qendrën e strehimit në kryeqytet, nga fillimi i vitit 2022 e deri më tash, janë strehuar mbi 70 gra, ndërkaq gjatë gjithë vitit të kaluar numri i tyre ishte rreth 100.

E për dallim nga Prishtina, në Komunën e Prizrenit, në dy muajt e fundit, ka rënie të kërkesave për strehim.

Drejtoresha e Qendrës në Prizren, Jubilea Kabashi, tregon për faktorët që dërgojnë në dhunë.

“Nga analiza e këtyre rasteve që kam në strehimore, është faktor kyç mirëqenia e tyre, kushtet e rënda të jetesës, papunësia e tyre, varshmëria e grave dhe e vajzave nga partnerët e tyre nga aspekti ekonomik. Pra, nuk i kanë financat për të jetuar një jetë normale”, ka thënë ajo.

Viktimat e dhunës në familje gjejnë strehim në qendrat e mbrojtjes për rreth 6 muaj. Por, në këto qendra thonë se sfidë mbetet jeta e viktimave pasi të dalin nga strehimoret.

Sipas drejtoreshës së qendrës në kryeqytet, Zana Asllani, të shpeshta janë rastet kur viktima kthehet te dhunuesi.

“Është sfida më e madhe për integrimin e tyre. Ka raste që prapë nëse kthehen te dhunuesi, është rast recidiv. Dhuna përsëritet. Është cikël i dhunës. Kërkojnë prapë strehim”, ka thënë ajo. “Shteti duhet të bëjë më tepër në këtë drejtim, për integrimin e viktimave të dhunës”.

Edhe Jubilea Kabashi, drejtuese e qendrës në Prizren, e cila punon për shumë vite me gratë që përjetojnë dhunë, thotë se institucionet duhet të merren më seriozisht me rastet e tilla.

“Ajo çka duhet për të punuar më tepër është pas daljes nga strehimorja, që do të thotë t’iu përshtaten pak kërkesave të viktimës dhe një vendim më të drejtë për integrimin e saj në shoqëri. Si rrjedhojë e kësaj neve na nevojitet të kemi banesa sociale”, ka thënë ajo.

Në shoqërinë civile përmenden edhe mangësitë në funksionimin e hallkave institucionale, situatë kjo që shkon në dëm të viktimave të dhunës në familje.

Arrita Rezniqi, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet përgjegjëse në shumicën e rasteve kanë dështuar në trajtim të këtyre rasteve.

“Edhe te ne rastet po shënojnë rritje, sikurse edhe trendi i rasteve të cilat po raportohen në bazë të asaj që shihet, në bazë të raporteve të policisë. Fatkeqësisht shpesh hasim edhe në një trajtim jo të duhur nga institucionet shtetërore. Ky trajtim jo i duhur, ose këto dështime të institucioneve hasen në hallka të ndryshme, duke filluar prej fillimit të raportimit të rastit, qoftë në fazën kur rasti raportohet në polici, qoftë në prokurori, qoftë në gjykatë”, ka thënë Rezniqi.

Por, në Policinë e Kosovës kanë theksuar se këto raste trajtohen me seriozitet.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje, duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente”, thuhet në një përgjigje të policisë.

Mbështetur në të dhënat që ka ofruar policia, nga janari i këtij viti e deri në mars janë raportuar 697 raste të dhunës në familje. Nga to, 581 viktima kanë qenë gra.

Në Kosovë të shpeshta kanë qenë edhe rastet, të cilat nuk kanë gjetur trajtimin e duhur nga institucionet e drejtësisë, e për pasojë kanë përfunduar me fatalitet.