Arbëri

Kryeministri e quan të frytshëm turin në SHBA, për të cilin u kritikua në Kosovë

“Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe në NATO që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës ku tashmë kemi aplikuar. Aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit, përveç shteteve anëtare, e në mesin e të cilave duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithashtu kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri Kurti, pas kthimit në Prishtinë

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar të frytshme vizitën 18-ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), edhe pse nuk ka realizuar takime të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe as në Departamentin e Shtetit.

Pas pjesëmarrjes në një forum të bizneseve të diasporës, të premten – një ditë pas kthimit në Kosovë – Kurti ka folur për dy qëllimet e vizitës në SHBA.

“E para, është investimet në Kosovë. Shumicën dërrmuese të takimeve i kam pasur me kompanitë e ndryshme, të cilat i kam njoftuar për progresin në Kosovë, për shanset në investime dhe kam kërkuar kontributin e tyre përmes përfitimeve të dyanshme. Dhe, tjetra ka qenë siguria për Kosovën në dritën e problemeve të cilat i kemi në Ballkan, e këto probleme kanë një burim kryesor e që është Beogradi zyrtar dhe së fundmi edhe lidhja e ngushtë e tyre me një shtet që ndodhet në luftë, si puna e Federatës Ruse, dhe agresionit të saj të pajustifikuar, të paligjshëm, të paprovokuar në Ukrainë”, ka thënë Kurti.

Ai është përgjigjur edhe rreth kritikave të opozitës dhe shoqërisë civile për shterpësinë e takimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri ka thënë se qëndrimin e gjatë e kishte paralajmëruar më herët dhe nuk do të duhej të kishte të befasuar për këtë, përveç atyre që nuk i ndjekin zhvillimet politike.

“Kam thënë se sa pyesni se kur po shkon në Amerikë, së shpejti do të pyesni se kur po kthehesh. Dhe saktësisht ashtu ka ndodhur dhe së dyti unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë. Takimi që është mbajtur aty ka qenë me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, që është pikërisht takim në funksion të një qëllimi tjetër përveç investimeve në Kosovë, ajo është siguria për Kosovën. Sullivan është një person i informuar”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd kanë kërkuar angazhim në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Por, as ndihmës-sekretarja për çështje evropiane, Karen Donfried, e as emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët para disa javësh i patën shkuar në zyre Kurtit në Prishtinë, të njëjtin nuk e kanë pritur kryeministrin në SHBA.

Megjithëkëtë, sipas Kurtit, dialogu ka qenë në mesin e temave të diskutuara.

Sipas tij, është Beogradi që duhet të ndryshojë në këtë proces, e i cili do të rezultonte me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, në qendër të së cilës është njohja reciproke.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se në SHBA ka kërkuar edhe mbështetjen për procesin e anëtarësimit në disa nga organizatat ndërkombëtare.

“Kemi kërkuar mbështetjen për programin e Partneritetit për Paqe në NATO, që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës ku tashmë kemi aplikuar. Aty kemi disa shtete, të cilat kanë statusin e vëzhguesit, përveç shteteve anëtare, e në mesin e të cilave duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithashtu kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka treguar Kurti.

Që nga 6 maji kur e pati nisur vizitën, kryeministri Kurti është takuar me bashkatdhetarë në Chicago të Illinoisit, ka mbajtur ligjëratë në Universitetin DePaul të Chicagos, është takuar me drejtues të kompanisë UCX, kompanisë “Matter”, ka marrë pjesë në hapjen e Shërbimeve Konsullore në Iowa. Po ashtu, është takuar me drejtues të kompanisë “Uber”, ka vizituar kampusin e “Microsoftit” në Silicon Valley, është takuar me drejtues të kompanisë “Airbnb” e ata të “Linkedin”, e po kështu edhe me kryeshefen e MCC-së, Alice Albright.

Gjatë vizitës, ka pasur edhe takime të karakterit politik. Përpos me këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan, ka takuar edhe kongresistë, senatorë e guvernatorë shtetesh.