Arbëri

Shqipëria s’garanton që çmimet për turistët s’do të rriten

Radhime, Turizmi

Me qëllim të promovimit të turizmit, në Prishtinë është mbajtur konferenca “Turizmi i përbashkët Kosovë – Shqipëri”. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, kanë thënë se po synojnë që përveç zhvillimit të turizmit, ta zhvillojnë edhe ekonominë. Por, Kumbaro nuk ka dhënë garanci se vendi i saj s’do t’i rrisë çmimet për turistët.

Kanë rënë dakord që promovimin e turizmit për Kosovën e Shqipërinë ta bëjnë në platforma të përbashkëta. Në këtë mënyrë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, po synojnë që përveç zhvillimit të turizmit ta zhvillojnë edhe ekonominë e të dyja vendeve.

Por pas konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë – Shqipëri”, të mbajtur në Prishtinë, Kumbaro nuk ka dhënë garanci se vendi i saj s’do t’i rrisë çmimet për turistët.

“Këto janë pyetje që duhet të shkojnë te sektori privat. Ne duhet të kuptojmë që kemi të bëjmë me një vit ndryshe nga të tjerët, nuk është thjesht një vit më shumë se 2021, është një vit i cili po përballet, përtej turizmit, me rritje të çmimit globalisht, rritje të çmimit të energjisë, rritje të çmimit të karburanteve, që përcillet pastaj edhe në rritje të çmimit të mallrave të tjera”, ka paralajmëruar ai.

Ajo vetëm ka thënë se çmimi i energjisë në Shqipëri ka mbetur i njëjtë për amvisëritë dhe bizneset e vogla, të cilave ka shtuar se u takojnë shumica e restoranteve e hoteleve.

Kumbaro ka theksuar se kanë edhe një Bord, i cili kontrollon çmimet e shportës e të karburantit, në mënyrë që situata globale sa u përket çmimeve, siç është shprehur ajo, të mos ndikojë në mënyrë të ekzagjeruar te sektori privat.

Në anën tjetër, ministrja Hajdari ka bërë të ditur se një takim të tillë do ta kenë edhe në vjeshtë, për ta promovuar potencialin turistik të Kosovës.

“Pas aprovimit të Ligjit për turizmin, kemi në finalizim edhe strategjinë për zhvillimin e turizmit në Kosovë dhe më tutje jemi duke punuar edhe në brendimin e Kosovës në fushën e turizmit, së bashku me ministren Kumbaro kemi qëllimin që të digjitalizojmë sa më shumë ofertat dhe mundësitë, potencialet që ne do t’i promovojmë në rajonin tonë”, ka thënë Hajdari.

Hajdari, gjithashtu, ka treguar se takimi i radhës në mes të dy qeverive do të mbahet më 24 qershor.