Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, reagoi pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar doli kundër tërheqjes së 30% të kursimeve nga Trusti dhe kthimit të tarifave të rrymës.
Ajo ka thënë se opozita, të cilët qenë propozues për Trustin dhe tarifat, po rreshtohet pas “ideve populiste dhe destruktive për ekonominë e vendit deri në shkatërrim financiar të shtetit”.
Këtë, sipas Kusari-Lilës, opozita po e bën vetëm pse kanë rënë nga pushteti.
“Stimulohet rrënimi i stabilitetit financiar, nxitja e trazirave sociale dhe rrezikimi i funksionimit të Agjencive Rregullative vetëm pse ata e humbën pushtetin”, shkroi ajo në Facebook.
“Reagimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me propozimin e PDK-së, mbështetur nga LDK, AAK dhe Lista Serbe për tërheqjen e 30% të Trustit si dhe procesin gjyqësor për anulimit të tarifave të energjisë, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, tregon seriozitetin e situatës, përfshirë rrezikimin e sistemit financiar dhe rregullativ në Kosovë, si dhe është dëshmi sa popullist dhe destruktiv është propozimi i partive të opozitës”.
Deputetja shkroi se partitë që dikur kanë qenë në pushtet janë të paafta për të ndihmuar qytetarin.
“Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin. Kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin. Kjo nuk është ekonomi, është mendësi sot për nesër”, shkroi ajo.