Arbëri

Serbia i reagon Klitschkos për Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i ka reaguar kryetarit të Kievit, Vitaly Klitschko, i cili gjatë një intervistë për një medium shqiptar në Zvicër, tha se edhe ukrainasit do të çlirohen nga rusët, ashtu siç u çliruan shqiptarët në Kosovë nga Serbia.

Vulin, një politikan ultra-nacionalist, ka thënë se krahasimet nuk janë të mira dhe nëse Klitschko nis më krahasime, atëherë sipas tij, duhet të shkojë deri në fund.

“Nëse Klitschko pretendon se shqiptarët ishin të pushtuar dhe se ata e kanë hequr qafe Serbinë dhe okupatorin serb me luftë, atëherë edhe rusët në Donbas janë po ashtu të pushtuar dhe kanë atë të drejtë që Klitschko ua njeh shqiptarëve në Serbi”, ka thënë Vulin, përcjell të enjten “B92”.

Vulin në shumë raste ka fyer shqiptarët, duke i quajtur "shiptari".

Donbasi në lindje të Ukrainës përbëhet nga dy rajonet separatiste, Donetsk e Luhansk, ku rusët vendas të mbështetur nga Rusia, luftojnë nga viti 2014. Po ashtu, tash që lufta po zhvillohet, Rusia ka përqendruar luftimet në Donbas.

Serbia ndërkohë është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Dhe, presidenti i saj Aleksadar Vuçiq, ka thënë se tash për tash kjo nuk ka gjasa të ndodhë.