Arbëri

Edhe 12 persona në cilësinë e “viktimës” marrin pjesë në gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve

Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte, janë pranuar edhe 12 persona që gjykata i ka cilësuar si viktima, për të marrë pjesë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet ndaj tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ka prova ‘prima facie’ se viktimat 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/ 06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59/06, kanë pësuar dëme si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të pretenduara në aktakuzën e ndryshuar dhe i pranon ato si viktima pjesëmarrëse në procedurë.

Në këtë vendim thuhet se të gjithë aplikantët janë viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në lokacionet e identifikuara në aktakuzën e ndryshuar dhe krimet e supozuara bien brenda fushëveprimit kohor të akuzave siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar në lidhje me secilën prej vendndodhjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më konkretisht: (a) Viktima 21/06 është viktimë e drejtpërdrejtë e persekutimit, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, që pretendohet se janë kryer në [REDAKTUAR]. Duke vënë në dukje se viktima 21/06 pretendon gjithashtu se është viktimë e krimeve të kryera të dyshuara në vitin 2004, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se krime të tilla nuk bien në sferën kohore të akuzave ose në juridiksionin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se viktimat janë “viktima indirekte të persekutimit dhe burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar” si dhe se kanë pësuar “dëmtime fizike, dëmtim mendor, dëm material”.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.