Arbëri

Mustafi: Serbia dëshiron ta mohojë zërin shqiptar në Parlamentin e Serbisë

Ragmi Mustafi nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka thënë se partia në pushtet në Serbi, dëshiron ta mohojë një zë shqiptar në Parlamentin e këtij shteti.

Mustafi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të mërkurën, se Shaip Kamberi, si deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ka ngritur shumë çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe se kjo është arsyeja që atij po tentohet t’i pamundësohet fitorja e ulëses së Kuvendit sërish.

“Kjo është e lidhur me komunitetin shqiptar dhe mohimit të zërit të tyre në Parlamentin e Serbisë. Në dy vitet e kaluara, Kamberi ka ngritur një mori çështjesh të rëndësishme për shqiptarët dhe çështjet gjeo-politike që kanë të bëjnë me shqiptarë. I ka nxitur temat e nevojshme, ia ka bërë të ditur bashkësisë ndërkombëtare se me çka do të përballemi dhe ka shtyrë përpara tema se si duhet të zgjidhet çështja e Luginës së Preshevës. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe trashëgiminë e saj. Kushtet në të cilat janë duke u mbajtur këto zgjedhje janë përtej të jashtëzakonshmes, duke e targetuar komunitetin shqiptar”, ka thënë Mustafi.

Ai ka ftuar votuesit e Tërnocit që të marrin pjesë procesin zgjedhor që do të mbahet për herë të tretë në këtë fshat.

“Me këtë do të dëshmohet se nuk mund të thyhet fryma e shqiptarëve për të drejtat e tyre dhe nuk do të lejojmë që të dorëzohemi në raport me diskriminimin që po na imponohet. Kësaj fryme të Serbisë duhet t’i dalim përpara. Ivica Daçiqi nuk do të kalojë, sepse Tërnoci do të votojë e shqiptarët do të fitojnë”, ka shtuar Mustafi.

Më 27 maj, Shaip Kamberi dhe "Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës" për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e ulëses së vetme të përfaqësimit në Parlamentin e Serbisë.