Arbëri

Hyland konsideron se zhvillimi ekonomik është qenësor për të ardhmen e Kosovës

Autoritetet komunale të Prizrenit të mërkurën kanë vlerësuar angazhimin e Christopher Hyland, bashkëpunëtor i ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, për Pavarësinë e Kosovës dhe shtetndërtimin e saj. Vizita e Hylandit në Prizren është realizuar në kuadër të Mbledhjes Botërore të Kryesisë së Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, me ç’rast është theksuar se këto biznese po i shqyrtojnë nevojat e Kosovës për investime nga jashtë.

Ndërkaq vetë Hylandi ka theksuar se zhvillimi ekonomik është qenësor për të ardhmen e Kosovës dhe se ky duhet të jetë fokusi i vendimmarrësve.

dimë që për gjeneratat e ardhshme, aspektet e rëndësishme të zhvillimit të Kosovës janë ato ekonomike që ndodhin këtu. Jemi në një periudhë ku më nuk duhet të brengosemi se me kë do të bashkohemi, apo me kë nuk mund të bashkohemi, nuk mund të jemi të obsesionuar se si dikush ndërvepron ose nuk ndërvepron me fqinjët serbë, dhe ajo çka duhet dhe për të cilën gjë edhe kryetari juaj është i përkushtuar, është që të merremi se si mund ta ndërtojmë ekonominë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai, pas takimit me kryetarin e Komunës së Prizrenit.

Ndërsa kryetari Shaqir Totaj ka shprehur qëndrimin se biografia e Hylandit dëshmon për kontributin e madh që ai ka dhënë për çështjen e Kosovës në historinë e re të saj.

“Asnjëherë nuk është e tepërt për t’i falënderuar përfaqësuesit e lartë nga SHBA-ja, për kontributin që e ka dhënë Amerika dhe që vazhdon ta japë për çështjen e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Për angazhimin dhe kontributin e rëndësishëm në kauzën e Pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, në mbështetjen dhe në forcimin e paqes, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka ndarë titullin “Doktor Nderi” për Christopher Hyland.

Ditë më parë presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar Christopher Hyland me urdhrin “dr. Ibrahim Rugova”.