Arbëri

Jakurti: Me tërheqjen e parave nga Trusti do të rriten edhe më tej çmimet

Eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, ka thënë se tërheqja për herë të dytë e mjeteve nga Trusti, do ishte një gabim tjetër dhe vazhdim i një politike të pazakontë, e cila sipas tij, nuk ndodh në vendet e tjera.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, të mërkurën, Jakurti ka sqaruar se futja e më shumë parave në ekonomi, në kohën e inflacionit të vazhdueshëm, do të ndikojë në rritjen e mëtutjeshme të tij.

“Ekonomia e Kosovës është diku rreth 7 miliardë euro dhe nëse janë futur 200 milionë, kjo është diku 2.9% e gjithë ekonomisë, që është shumë e vogël. Ish-kryeministri Hoti duhet ta arsyetojë politikën që ka bërë, që është një politikë e pazakontë dhe efekti në ekonomi ka qenë shumë i vogël. Nuk mendoj që diçka ndryshe kishte me ndodh tash. Kemi rritje të çmimeve, kemi inflacion të paparë dhe si duket ky inflacion do të vazhdojë deri në fund të vitit dhe në situata të tilla, kur kemi rritje të përgjithshme të çmimeve, nëse kemi futje më të madhe të parasë në ekonomi, kemi rritje të qarkullimit të parasë dhe gjasat janë që të ketë vazhdim të rritjes së çmimeve. Futja e më shumë parave në ekonomi është e gabuar nëse tentojmë të fusim më shumë para në ekonomi”, ka thënë Jakurti.

Sipas tij, me këtë veprim është krijuar një precedent i rrezikshëm, derisa ka shtuar se opozita po i keqpërdorë këto mjete për agjenda të ndryshme politike.

“Është krijuar një precedent shumë i rrezikshëm dhe i gabuar në qeverinë Hoti kur ka ndodhur tërheqja e parë dhe tash vijmë në situata kur shihet se si këto mjete mund të keqpërdorën vazhdimisht për agjenda të ndryshme politike, për kauzat e tyre”, është shprehur Jakurti.

Herën e parë, në dhjetor të vitit 2020, u lejua tërheqja e 10 për qind të parave të mbledhura.

Komisioni për Buxhet nuk e ka miratuar të mërkurën propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i projktligjit që mundëson tërheqjen e re nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Deputetët opozitarë të këtij komisioni ishin pro, ndërsa votat e pushtetit ishin kundër. Nga minoritetet, Verica Ceraniq e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Megjithatë projektligji do të shkojë në Kuvend për shqyrtim pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë.

Iniciator për ligjin është deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Sipas kërkesës së tij, personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri më 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shume se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale.