Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ftoi Qeverinë që ta zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit, pas vërtetimit të pezullimit së vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës. Stavileci deklaroi të hënën se pushteti po synon t'iu shkaktojë qytetarëve kriza të reja.
“Keqmenaxhimi i qeverisë po vazhdon. Nga dështimi në parandalimin e futjes së vendit nëpër kriza të njëpasnjëshme kjo qeveri me vetëdije të plotë dhe në mungesë të vizionit po rrëshqet në kriza të reja me fajin e vet, për shkak të të injorancës dhe arrogancës së vet, e fatkeqësisht, pandershëm, në llogari të qytetarëve të pafajshëm. Fitorja e qytetarëve të vendit tonë në realizimin e dy të drejtave elementare të tyre, atë të sigurisë së furnizimit dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve, e cila u realizua me vendimin e gjykatave për mos-shtrenjtimin e rrymës, sot po rrezikohet pikërisht nga pushteti i cili ua shtrenjtoj rrymën në mënyrë të padrejtë, të paarsyeshme dhe të kundërligjshme.”, tha Stavileci.
Ai theksoi se po tentohet të shpërfillet shteti ligjore, duke shtuar se pushteti po e suspendon sistemin ligjor "me mosbindje dhe moszbatim të vendimeve të gjykatave".
“Është tepër shqetësuese që kjo Qeveri dhe ky pushtet po përpiqen t’i ikin zbatimit të plotë të vendimit të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit të kundërligjshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë mbi 100 për qind për 450 mijë familje kosovare.”, ka thënë Stavileci.
Sipas anëtarit të Kryesisë të PDK-së, paralajmërimet për reduktime të energjisë elektrike “janë edhe një përpjekje e re e pushtetit për ta mbuluar keqmenaxhimin”.