Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, kanë mbajtur të hënën takim gati 3-orësh. Pas takimit, Presidenca serbe tha se SHBA-ja i ka ofruar mbështetje Serbisë për shumë procese, përfshirë edhe Ballkanin e Hapur.
“Ne gjithashtu mbështesim edhe nismën e Ballkanit të Hapur dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në zhvillimin e saj më të shpejtë”, tha ambasadori Hill, sipas njoftimit të Presidencës serbe. U fol edhe për vazhdim të dialogut me Kosovën, thuhet tutje në njoftim.
Këtë nismë e kanë themeluar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
Në takim është folur edhe për furnizimin me gazin rus, ku Serbia është tepër e varur.
“Ambasadori Hill përsëriti mbështetjen e vendit të tij për përpjekjet e Serbisë për të diversifikuar burimet e energjisë dhe efikasitetin e energjisë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t'i dhënë Serbisë akses në projektet energjetike, në të cilat është duke u punuar shumë”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.
Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk ka dalë me një deklaratë për atë që u fol në takim, por në një intervistë të Hillit një ditë më parë, ai ia ka bërë të qartë Serbisë pozicionin e SHBA-së për shumë tema, përfshirë edhe Kosovën.
Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që deri më tash ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Presidenca serbe nuk njoftoi nëse është folur për këtë temë në takimin e së hënës.
Ndërkohë, sipas njoftimit, Vuçiqi është “zotuar të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon”.
“Presidenti theksoi përpjekjet e Serbisë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, pasi Serbia me politikën e saj konsistente dhe serioze është pozicionuar si një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm, i përkushtuar për dialogun politik dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve rajonale në të gjitha fushat. Në këtë kuptim, presidenti theksoi se Serbia është iniciatore e projekteve të shumta që lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrën më të mirë dhe se për këtë arsye njihet si një partner proaktiv për të gjithë ata që duan të punojnë me sinqeritet dhe përkushtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.