Arbëri

Kurti: Kosova të bëhet pjesë e programit “Partneriteti për Paqe”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në World Affairs Forum ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e Programit “Partneriteti për paqe” të NATO-s.

Stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Kosovë u theksuan nga Kurti në fjalën e tij. Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

“Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e ShBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s”, tha Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.

Sipas komunikatës së dërguar mediave thuhet se ai “potencoi indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë”.

“Duke folur për potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti tha se në Silicon Valley takoi shumë ndërmarrës, të cilëve u shpjegoi që Kosova është vend i përshtatshëm për investime. Kryeministri ftoi biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike, Kurtin ka potencuar kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës.

“Kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metra katrorë. Ai përmendi edhe negociatat me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, me shumën 236 milionë dollarë, dhe që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë”, thuhet në njoftim.