Arbëri

Presidentja Osmani kritikohet për mungesë transparence

Ka më shumë se një vit prej se është vënë në krye të shtetit, por gjithsej dy konferenca shtypi i ka mbajtur si e vetme presidentja Vjosa Osmani. Ajo është kritikuar nga gazetarët për mungesë paraqitjesh publike e për moslejim të shtrimit të pyetjeve gjatë pjesëmarrjes që ka në aktivitete, e po kështu është kritikuar edhe për pyetjet që mbeten pa përgjigje, kur adresohen në Presidencë. Njohës të marrëdhënieve me publikun thonë se komunikimi jo i duhur me mediat e gazetarët i dëmton vetë politikanët. Ndërkaq, në zyrën e presidentes Osmani thonë se ajo është transparente dhe se do të vazhdojë të mbajë konferenca për media, të deklarohet për media apo t’i adresohet publikut, varësisht nga zhvillimet në vend

Kufizimi i numrit të pyetjeve, paraqitjet e rralla në konferenca si e vetme, mungesa e përgjigjeve në pyetjet që i shtrohen, janë disa nga ankesat që kanë gazetarët ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Liridon Llozani ka tre vjet që ushtron profesionin e gazetarit. Ai thotë se konferencat e ngjarjet ku merr pjesë kryetarja e shtetit janë të vetmet mundësi për të tentuar që të sigurojnë përgjigje për disa nga çështjet që i trajtojnë, por një gjë e tillë jo gjithherë u mundësohet.

Ai numëron disa nga rastet kur i është mohuar mundësia për të bërë pyetje.

“Ka qenë një vizitë e presidentit Pendarovski. Aty kemi pritur rreth 4 ose 5 orë dhe në fund nuk na është dhënë fjala. I është dhënë vetëm tri mediumeve nga Maqedonia dhe njërit nga Kosova. Mediumin e ka përcaktuar dikush nga stafi i presidentes dhe neve nuk na është dhënë fjala”, ka treguar ky gazetari i RTV Dukagjinit. “Kanë qenë homazhet në Rrezallë. Aty ka tentuar dikush nga presidentja të mos na lejojë të bëjmë pyetje”.

Sipas gazetarit Llozani, në ngjarjet jashtë konferencave, pyetjet kërkohet të bëhen për ngjarjen në të cilën merr pjesë Osmani.

“Në shumicën e rasteve ku jemi prezentë ka tentime të tilla: ose të kufizohet numri i pyetjeve ose pyetjen ta kufizojnë brenda asaj teme, e që shpesh ndodh të jenë homazhe ose vizita të cilat në shumicën e rasteve nuk u përputhen as temave tona, as çështjeve që i interesojnë publikut”, thotë ai.

Eksperiencë jo të mirë me presidenten Osmani ka edhe gazetari i Televizionit 7, Çlirimtar Morina. Ai tregon që disa herë është përballur me truprojat e kryetares së shtetit.

“Ka shumë raste kur në ngjarje të ndryshme ne si medium tentojmë të marrim ndonjë përgjigje për ndonjë temë të caktuar dhe zakonisht te vetmen përballje e kemi me truprojat e tyre si një shtyllë fillimisht dhe në rast se mund të arrijmë të presidentja qoftë me anë të mikrofonit qoftë me anë të ngritjes së zërit për ta transmetuar pyetjen, por edhe në ato raste mund të kemi një përgjigje të shkurtër nga zonja presidente”, ka thënë gazetari Morina.

Ai ka theksuar se daljen në konferenca, shefja e shtetit e bën kryesisht në rastet kur pret në zyrë homologët e saj.

“Konferenca që mund të thirren nga ajo janë rastet kur ka mysafirë nga jashtë dhe aty ka një adresim të themi e jo konferencë. Pyetjet në rast se bëhen, janë të përzgjedhura nga stafi i saj. Lejohen të paktën dy pyetje ku edhe pyetjet duhet të jenë vetëm për temën e jo për ato që është në interes të publikut”, tregon Morina. “Shpeshherë na thotë t’i referohemi zyrës për media, por zyra për media është e mbyllur. Vetëm kur kanë interes të kthejnë përgjigje dhe jo nëpër raste të tjera, qoftë formale, qoftë një përgjigje që mund të na orientojë ne si gazetarë”.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, thotë se mbajtja e konferencave të përbashkëta për media është praktikë standarde e vizitave zyrtare, ngjashëm si në vendet e tjera. Ai thekson se numri i pyetjeve zakonisht përcaktohet sipas dakordimit paraprak ndërmjet kabineteve të presidentëve.

“Prandaj numri i pyetjeve është i kufizuar shkaku i agjendës që kanë presidentët vizitorë gjatë qëndrimit në Kosovë. Vetë fakti që konferenca është e hapur për media nënkupton mundësinë që secili gazetarë ta shfrytëzojë të drejtën për të bërë pyetje në kuadër të numrit të pyetjeve të paracaktuara, për të cilën gjë gazetarët njoftohen në fillim të konferencës për media”, thotë Kupina dhe këmbëngul se shefja e shtetit ofron edhe mundësi të tjera, për t’iu ofruar përgjigje gazetarëve. “Nuk mund të lokalizohet paraqitja e presidentes vetëm në konferenca për media. Sa herë që kemi pas për vizitë presidentë nga shtete të ndryshme, presidentja i është përgjigjur interesimit të mediave. Vizita të tilla kemi pasur shpesh. Përveç kësaj, presidentja ka bërë deklarime të shpeshta për media në aktivitete të ndryshme, sikurse edhe ka pasur në vazhdimësi intervista në mediat e Kosovës”.

Por, gazetarët që përcjellin kryesisht zhvillimet që lidhen me Zyrën e Presidentes, thonë se mungesa e përgjigjeve nga presidentja Osmani e Presidenca ndikon në kualitetin e storieve që përgatisin. Ata ankohen se kjo shkallë mostransparence bën që ose të presin me ditë të tëra për ta transmetuar storien, ose ta transmetojnë pa përgjigjen e institucionit më të lartë në vend.

“Ka raste kur me javë të tëra presim për një përgjigje dhe na mbeten temat tona peng. Ne si gazetarë mundësi të vetme po i kemi këto konferenca ose vizitat, homazhet në vendet të ndryshe dhe aty kur po shkojmë nuk po jemi të sigurt që deri në fund të ditës t’i sigurojmë ato informacione”, thotë gazetari Liridon Llozani.

E Çlirimtar Morina thotë të mos e shohë në praktikë mburrjen e Zyrës së Presidentes për transparencë.

“Përgjigjet nga zyra e presidentes janë shumë të rralla dhe përveç që storiet tona mbesin të paplotësuara, ne nuk mund t’u ofrojmë shikuesve tanë ato përgjigje që ata mund t’i kërkojnë gjatë gjithë ditës. Ka raste të panumërta kur me javë të tëra na është dashur që të presim për një përgjigje e cila është marrë vetëm kur ka pasur një interesim ose një interes të saj”, thotë Morina.

Por, këshilltari i presidentes Osmani përmend një konferencë, kur shefja e shtetit u është përgjigjur të gjitha pyetjeve.

“Njëra ndër konferencat e shumta ku është paraqitur Presidentja është ajo e mbajtur më 4 prill 2022 dhe siç e keni parë edhe ju, është përgjigjur në të gjitha çështjet e ngritura nga mediat”, ka thënë këshilltari Bekim Kupina.

Konferenca së cilës i është referuar ai, është thirrur në njëvjetorin e zgjedhjes presidente të Osmanit.

Sipas Kupinës, pjesë e komunikimit me publikun janë edhe komunikatat e çdoditshme të lëshuara nga Zyra për Media, sikurse edhe përgjigjet në baza ditore për çështje specifike.

“Presidentja do të vazhdojë të mbajë konferenca për media, të deklarohet për media apo t`i adresohet publikut, varësisht nga zhvillimet në vend”, ka thënë ai.

Sipas Kuptinës, i rëndësishëm është edhe interesimi i mediave të huaja për ta pasur në intervistë presidenten Osmani dhe rikujton se ajo ka realizuar një sërë intervistash në mediat botërore, në funksion të afirmimit të Kosovës, pozicionit të saj ndërkombëtar karshi zhvillimeve të fundit në botë, sikurse edhe përmirësimit të imazhit në planin ndërkombëtar.

Një përgjigje pse Presidentja Osmani nuk e aplikon daljen në konferenca e përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, e ka Dardan Hasku, drejtor në “Piar”, kompani e specializuar për marrëdhënie me publikun e komunikimin.

Sipas Haskut, një gjë e tillë ndodh për shkak të fokusimit që politikanët janë duke e pasur në rrjetet sociale.

“Politikanët po i përdorin rrjetet sociale për ta përçuar atë mesazh te qytetarët qysh ata kanë qejf, pa i lënë mediat që të ndërhyjnë në çfarëdo forme. Por kjo mund t’i dëmtojë – një lloj shtrirje dhe aksesi te një shtresë më e gjerë e njerëzve dhe nëse një politikan i caktuar nuk është i qasshëm për mediat, mund të humbë shumë hapësirë, shumë shtrirje para qytetarëve për ta dërguar atë porosi ose çfarë ka synim”, thotë ai. “Mediat janë shumë të rëndësishme për shkak se ka një audiencë jo të vogël . Rrjetet sociale nuk kanë shtrirje edhe nëse nuk je i qasshëm për ato mediat dhe nuk jep hapësirën që duhet, atëherë mund të penalizohesh, sepse e humb atë mundësi për ta çuar mesazhin si politikan që je, në këtë rast presidentja”.

Hasku këshillon institucionet shtetërore, që të mos u frikësohen gazetarëve e mediave, të jenë më të qasshëm e kësisoj të kryejnë obligimin që kanë, llogaridhënien para qytetarëve.

“Institucionet e kanë për obligim të jenë të qasshëm dhe të raportojnë para mediave dhe gazetarëve për çdo temë, shqetësim, pyetje që mund ta kenë sepse është çdo gjë që i prekupton”, ka thënë ai.

Haki Merovci është ekspert protokolli dhe thotë të mos ketë një rregull protokollar për kohën kur duhet organizuar konferenca shtypi. Sipas tij, organizimi i tyre është në duar të zyrave për media në institucionet përkatëse.

Merovci thotë se konferencat e zyrtarëve shtetërorë e ato të përbashkëta me delegacionet e tjera synim kryesor do të duhej të kishin sigurimin e kushteve optimale për mbarëvajtje.

“Konferencat për media të dy krerëve të shteteve kanë një ceremonial të veçantë dhe kryesisht përmbajnë një dizajnim funksional medial dhe si vizita shtetërore dallojnë shumë nga press-konferencat të rangjeve me të ulëta shtetërore”, thotë Merovci.

Megjithëkëtë, ai tregon se si dhe kur mund të bëhet kufizimi i numrit të pyetjeve, ndonëse sipas tij do të duhej të ishin të rralla rastet e këtilla.

“Limitimi i pyetjeve si dhe numri i pjesëmarrësve të medieve gjatë konferencës është specifikë e cila kryesisht varet nga karakteri, pesha dhe rëndësia politike e vizitës shtetërorë. E veçanta e tyre është se kur ka tema të “nxehta” politike, zyrtari i cili menaxhon me konferencë, ai duhet paraprakisht të njoftojë mediet lidhur me limitimin e pyetjeve, respektivisht kohëzgjatjen, duke mos favorizuar ndonjë palë në konferencë. Këtë njoftim zyra për medie në Presidencë mund të bëjë paraprakisht me e-mail, apo para fillimit të konferencës”, thotë ai.

Për dallim nga paraardhësi i saj, ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili daljet në konferenca i kishte të shpeshta, presidentja Vjosa Osmani deri më tani ka mbajtur dy konferenca si e vetme: njëra ka qenë në shënimin e njëvjetorit të saj në krye të shtetit, e tjetra për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.