Arbëri

Kosova e kënaqur që u përmend në Këshillin Ministror të KiE-së

Edhe pse Kosova s’ka qenë fare në rend dite në mbledhjen vjetore të Këshillit Ministror të Këshillit të Evropës, Ministria e Punëve të Jashtme është shprehur e kënaqur që aplikimi i Kosovës është përmendur si çështje.

Kosova aplikoi më 12 maj për anëtarësim në KiE. Sipas ministres Donika Gërvalla, dorëzimi i kërkesës për pranim ka qenë rezultat i koordinimit dhe bisedave mes institucioneve dhe me partnerët e aleatët ndërkombëtarë.

Ndonëse MPJ-ja në një njoftim të premten pasdite u shpreh se në Këshillin Ministror kanë nisur diskutimet mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, ministrja Gërvalla ka thënë se Kosova s’ka qenë fare në rend dite, por se kërkesa e saj “ka qenë temë shumë prezentë”.

“Edhe pse Kosova nuk ka qenë fare në rend të ditës, gjatë mbledhjes së sotme Kosova dhe kërkesa e saj për anëtarësim ka qenë temë shumë prezente. Shumë përfaqësues të shteteve të pranishme kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në KiE. Mbështetja ka ardhur sot nga shtete të mëdha dhe të vogla, me peshë shumë të madhe dhe të tilla me peshë më të vogël gjeostrategjike për kontinentin tonë. Askush përveç Serbisë nuk është deklaruar sot kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian. Mbledhja e sotme e Këshillit Ministror është një hap shumë i madh pozitiv për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit të saj të plotë në KiE”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gërvalla ka shtuar se procedura për pranim s’do të jetë e lehtë.

“Hapa të tjerë politikë dhe proceduralë do të vijojnë deri sa të kërkohet opinioni i Asamblesë Parlamentare të KiE (PACE). Asambleja Parlamentare, pasi të kemi përmbushur kriteret, i rekomandon Këshillit Ministror që Kosovën ta ftojë të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Askush nuk duhet të ketë iluzion që e gjithë kjo procedurë do të jetë e lehtë dhe që do të mund të arrihet pa punuar me përkushtim dhe seriozitet në secilën prej etapave të domosdoshme. Republika e Kosovës, e cila e ka dëshmuar veten si lidere të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, është e etur, e gatshme dhe e përgatitur për t’i dalë në krye kësaj rruge të nisur. Takimi i sotëm i Këshillit Ministror ka dëshmuar fuqishëm që Kosova është edhe e mirëseardhur në gjirin e shteteve anëtare të KiE”, ka shtuar Gërvalla.