Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se në kohën kur në Hagë po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, Serbia po vazhdon ta akuzojë Kosovën “me të njëjtën zhurmë si më parë”.
Ai tha në DESK-un e KTV-së të enjten se Serbia ka qëllim që të argumentohet se në Kosovë kanë qenë një grup kriminelësh, që kanë bërë krime gjatë luftës. Ai shtoi se politika kosovare është fajtore që nuk është marrë me dokumentimin e krimeve të luftës.
Sipas Halitit, Gjykata Speciale nuk do t’i marrë parasysh pretendimet serbe, në rast se nuk argumentohen.
"Vetëdija jonë është ajo e njerëzve që janë rritur në kushtet apo në mentalitetin e robit. Politika shtetërore e Kosovës është fajtore që s’është marrë me këtë çështje", ka deklaruar ai.
“Ata (Gjykata Speciale v.j.) nuk kanë inat me askënd. As në Serbi e as në Kosovë. Duhet të ballafaqohen me argumentet dhe t’i shpallin aktgjykimet e tyre. Kam insistuar që kushdo që është i goditur nga ushtria a policia serbe, ta bëjë dosjen personale. Ne pasluftës kemi ndërtuar zyrën me avokatë nga Kosova, por edhe me të huaj. Ajo që është dashur ta bëjmë ishte që ta bindnim secilën famiulje që ka pësuar dëme nga lufta, të bëjë dosje dhe të bëjë ankesë, që ne të kemi qëllim që shumë dosje të shqyrtohen në Këshillin e Evropës. Mendoj se nuk është vonë. Kërkesa për t’u anëtarësuar në KE ua hap rrugën secilit që ta bëjë dosjen”, tha Haliti.
Deputeti i PDK-së theksoi se duhet kërkuar të drejtën e popullit për të pagjeturit, fëmijët, gratë e pleqtë e vrarë nga forcat serbe.
“Ne e fitojmë të drejtën për t’i pasur edhe përfaqësuesit tanë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut, në Këshill të Evropës. KE-ja ka 47 shtete anëtare... Mbi të gjitha atje nuk votohet si shtet, por deputetët votojnë individualisht. Lobimi për këtë çështje është shumë i rëndësishëm. Dua të them që asnjë çështje nuk kalon në Asamble nëse nuk miratohet nga Komisioni”, tha Haliti.
Për ish-raportuesin e Këshillit e Evropës, Dick Marty, Haliti tha se nuk ka dëgjuar për të deri në ditën kur e kishte publikuar raportin në të cilin i paraqiste krerët e UÇK-së si kriminel lufte.
“S’kam dëgjuar kurrë për Dick Martyn deri kur ka dalë raporti. Marty ka qenë në Kosovë, ka mbledhur të dhëna, edhe në Serbi. Martyt dikush i ka dhënë dosje, jam i bindur se kurrë s’ka pasur transplante organesh, dikush ia ka mbushur mendjen atij”.
Haliti: Nuk e prisja dënimin ndaj Gucatit e Haradinajt
Për ish-krerët e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, që u dënuan të mërkurën nga Gjykata Speciale me nga 4 vjet e gjysmë burgim, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se nuk e priste një dënim të tillë.
“Dua të them që ata janë shokë të mi. Me Nasimin kam pasur kujtime më të mira. Ka qenë një prej djemve më të mirë dhe ka qenë shumë aktiv, trim, por nuk e kam pritur një dënim kaq të madh. Kam menduar se do ta dënojnë vetëm për këtë pjesën sa i kanë mbajtur në paraburgim. Për ta kritikuar Nasimin, unë mendoj se ka mundur të ishte më i butë në gjykim, ndoshta do të ishte dënuar më pak. Besoj se asnjëri s’ka besuar se dënimet ishin aq të rënda për një veprim që e kanë bërë në raport me opinionin publik”.
Ai shtoi se shpreson se ankesa në Apel do të mund t’ua zbresë dënimin Haradinajt e Gucatit.