Arbëri

Vuçiqi e pranon se pa marrëveshje me Kosovën s’ka integrim të Serbisë në Evropë

Aleksandar Vuciq, dialogu, Vladimir Putin, Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se normalizimi i raporteve me Kosovën do të jetë i nevojshëm, në mënyrë që shteti i tij të ecë përpara në integrimet evropiane.

Në një konferencë për media të enjten, gjatë vizitës në Beograd të presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, Vuçiqi nga gazetarët është pyetur për kompromiset që do të duhet t’i bëjë Serbia.

“Moti e kemi pranuar se duam të jemi pjesë e BE-së, por kërkesë e tyre ka qenë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. E të mos bëhemi tani të marrë se kinse një gjë të tillë nuk e kemi ditur. E, kur është në pyetje se si mendojmë ta ruajmë vendin tonë, për një gjë të tillë do të bisedoj me Michelin sonte”, ka thënë ai.

Vuçiq ka pranuar po ashtu se Michel ka shprehur pritjen dhe dëshirën që Serbia t’u bashkohet vënies së sanksioneve ndaj Rusisë.