Arbëri

Salih Mustafa ndërron mendjen, vendos të mos japë deklaratë të enjten

Salih Mustafa

Në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara në Hagë, ishte paraparë që të japë deklaratë pa betim Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka bërë të ditur se Mustafa kishte shpreh qëllimin për të bërë deklaratë pa betim, jo më larg se më 12 prill 2022, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mustafa kishte konfirmuar gatishmërinë për t’iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues nëse do të kishte në varësi edhe të drejtave të tij për të mos folur, për të heshtur. Arsyeja pse trupi gjykues donte t’ju bënte pyetje ishte për t'u përpjekur për të sqaruar çka ka ndodhur në prill të vitit 1999 dhe cili ka qenë roli juaj nëse keni pas ndonjë rol në kuadër të aktakuzës së konfirmuar, pyetjet që trupi gjykues do t'ua kishte bërë, do të duhej të ishin parë nga ky këndvështrim”, ka thënë ajo

Sipas saj, fatkeqësisht më pak se 24 orë para seancës së sotme, mbrojtja ka konfirmuar, se e ka rimenduar qëndrimin e tij dhe nuk do të japë deklaratë pa betim dhe nuk do t’iu përgjigjet pyetjeve të trupit gjykues.

“Deklarata pa betim dhe procedurat përkatëse nuk do të zhvillohen”, tha ajo.

Ndërkaq, avokati Julius Von Bone, tha se po ta kishin ditur këtë ndryshim të qëndrimit më përpara do të kishin dorëzuar parashtrim më përpara, por kështu ndodhi.

Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi