Arbëri

Gjukanoviqi sot për vizitë në Kosovë

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, do të arrijë sot për një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë.

Ai me këtë rast do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në orën 10:00. Pas takimit do të ketë konferencë për media.

I pari i shtetit të Malit të Zi do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, i cili me këtë rast do t’ia ndajë çelësin e qytetit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës zyrtare, do të bëhet ndërprerje e përkohshme e qarkullimit të trafikut.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare. Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtar policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet nga Policia e Kosovës.