Një kompani e vogël në Shqipëri po ka problem që ta përmbushë kërkesën dhe të prodhojë ngarkesën e parë prej rreth 500 autoambulancash që qeveria dhe agjencitë po planifikojnë t’i dërgojë në Ukrainë.
“Na janë dhënë vetëm dy javë për të prodhuar 11 autoambulanca dhe për t’i dërguar në Ukrainë”, ka thënë Arjeta Puca, biznesmene, për Reutersin.
Kompanisë që ka të punësuar 14 persona, përfshirë tre nga Turqia, i është kërkuar që të bëjë qindra autoambulanca por po e ka problem që të marrë automjete në Shqipëri.
“Kemi marrë kërkesë që të bëjmë 500 autoambulanca, përfshirë autoambulanca të blinduara, por problemi qëndron të ajo se nuk po mund të gjejmë furgonë”, tha ajo të martën.
Punëtorët po marrin automjete Ford të reja dhe po instalojnë bombola oksigjeni, drita të kaltra, sirena dhe pajisje të tjera.
11 autoambulancat e tjera u porositën nga agjencia e Kombeve të Bashkuara dhe sapo të përfundojnë do të transportohen në Poloni dhe më pas në Ukrainë.
Puca, kompania Timak e së cilës ka prodhuar autoambulanca për Shqipërinë dhe Libinë, ka thënë se qeveria britanike po ashtu ka treguar interes për 50 autoambulanca.
Marrëveshja e parë me Ukrainën mund të mos ketë qenë më e favorshmja, veçanërisht për kohë kaq të shkurtër, por Puca u ndje e sigurt që ta merrte.
“Dëshira jonë është që ta japim kontributin për Ukrainën... në këto kohë nuk duhet të mendosh vetëm për paratë”, tha ajo.
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, anëtarja e NATO-s Shqipëria i është bashkuar shteteve evropiane në sanksionet ekonomike dhe ndalimin e aeroplanëve rusë në hapësirën e saj ajrore.
Në fillim të marsit, Tirana emëroi një rrugë ku ambasadat e Rusisë dhe ajo e Ukrainës ndodhen me emrin “Ukraina e Lirë” për të nderuar rezistencën e Ukrainës.