Arbëri

Kosova rrit për gati 70 për qind eksportin në Shqipëri

Descriptive Text

Kosova ka rritur dukshëm eksportet me Shqipërinë në muajin prill dhe në katër muajt e parë të vitit 2022, në krahasim me periudhat e njëjta të një viti më parë. Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) për muajin prill të këtij viti, Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 10.35 milion euro, krahasuar me 6.9 milionë euro që ka eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 50 për qind. Në gati 70 shkon përqindja kur bëhet fjalë për periudhën katërmujore. Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 38.9 milionë euro, krahasuar me 23.4 milionë euro që kishte eksportuar për katërmujorin e parë të vitit 2021, duke shënuar një rritje me 66%.

Shqipëria ka shënuar ulje të eksporteve me Kosovën për muajin prill, krahasuar me një vit më parë, ndërsa për katërmujorin ka shënuar rritje. Për muajin prill të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë 23.3 milionë euro mallra, krahasuar me 26.7 milionë euro të së njëjtës periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej më pak se 13 për qind. Ndërsa për 4-mujorin e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 105 milionë euro, krahasuar me 80.5 milionë euro të së njëjtës periudhë të vitit 2021, duke shënuar një rritje me 30.4%.

E njëjta tendencë konstatohet edhe në shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut. Në 4 muajt e parë të vitit, Shqipëria eksportoi në Maqedoninë e Veriut mallra me vlerë prej 50 milionë euro, që paraqet rritje prej më shumë se 25.4 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sa i përket importeve nga Maqedonia e Veriut, rezulton se Shqipëria ka importuar mallra në vlerë prej 39.3 milionë euro, duke njohur rritje me më shumë se 12.3 milionë euro në krahasim me një vit më parë.

Rritja e çmimit të produkteve ka bërë që të ketë rritje të vlerës totale, por që s’nënkupton edhe rritje të volumit.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar në shkëmbimet tregtare edhe me Shqipërinë. Në vitin 2022 ka ulje të importeve nga Ukraina, ndërsa në ritme pozitive vazhdon të mbetet eksporti. Referuar të dhënave zyrtare, në prill Shqipëria ka eksportuar në Ukrainë mallra në vlerë 230 mijë euro, gati dyfish në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. E për periudhën katërmujore, Shqipëria ka eksportuar në Ukrainë mallra në vlerë 1.7 milionë euro, që paraqet rritje prej 550 mijë eurosh në krahasim me vitin e kaluar.

Në prill të këtij viti, Shqipëria importoi nga Ukraina mallra në vlerë prej 1.1 milionë euro, duke paraqitur përgjysmim në krahasim me një vit më parë.

Megjithatë, në periudhën katërmujore, shifrat e importeve qëndrojnë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në janar-prill 2022, Shqipëria importoi nga Ukraina mallra në vlerë prej 12.3 milionë euro, që paraqet rritje me 3.3 milionë euro në krahasim me një vit më parë.