Arbëri

Në prill, çmimet u rritën për 1,5 për qind

Për 1,5 për qind janë ngritur çmimet e produkteve të ndryshme në Kosovë në muajin prill, në krahasim me muajin mars të këtij viti, ka bërë të ditur Ibish Asllani, përfaqësues i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të martën në emisionin “SOT” në KTV.

Asllani ka thënë se kjo ngritje është vërejtur te produktet si vajrat, perimet, shërbimet e transportit, gazi etj.

Ai ka shpjeguar se një ngritje e madhe vërehet edhe ndërmjet vitit 2022 dhe vitit 2021.

“Po të krahasohet prilli i vitit 2022 me atë të vitit 2021, del se indeksi i çmimeve të konsumit ka një ngritje prej 11.2%. Ne kemi një matje që e bëjmë për 420 artikuj dhe shërbime dhe e kemi të shtrirë në 14 komuna, në vendbanime rurale dhe urbane. Gati të gjitha artikujt dhe shërbimet kanë pasur ngritje te çmimeve, disa e kanë pasur më të lartë disa më të ulët, por krejt kanë pasur ngritje të çmimeve. Buka dhe drithërat kanë pasur ngritje për 24,3%. Mishi ka pasur ngritje për 13,5%, qumështi djathi dhe vezët për 21.7%, vajrat, vajrat dhe yndyrat për 51.3%. Perimet kanë pasur ngritje. Sheqeri dhe ëmbëlsirat kanë pasur po ashtu ngritje”, ka thënë Asllani.

Sipas tij një rënie e lehtë e çmimeve është vërejtur vetëm tek pemët me fillimin e pranverës.