Arbëri

Skënder Hyseni e dinte se çka do të ndodhte në Kumanovë, thotë Zekaj

Ismajl Zekaj, babai i luftëtarit Val Zekajt, në Rubikon të KTV-së është shprehur i sigurt se ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka pasur njohuri para betejës dhe e dinte se çka do të ndodhte tutje.

Zekaj shpjegoi se si u përcollën luftëtarët deri në një Kumanovë.

“E di Skënder Hyseni që policia e Gjilanit i ka përcjell njerëzit, kjo është pas Gushincës. I kanë çuar në një qorrsokak, ata janë luftëtarë mirëpo mua nëse më kishin dërgu atje, kisha thënë jo, nuk mund të luftojmë në një vend ku nuk mund të tërhiqem”, ka thënë Zekaj.

Policia e Kosovës dhe Policia e Maqedonisë, thotë Zekaj kanë bashkëpunuar për t’i dërguar luftëtarët atje.

Zekaj bëri të ditur se qëllimi i luftëtarëve ishte implementimi i marrëveshjes së Ohrit për të vazhduar me idenë e Shqipërisë Etnike.

“Nëse bëhet një organizim edhe sot, unë plak jam, por nëse bëhet organizim për Shqipërinë e madhe, unë shkoj”, ka thënë Zekaj.

Zekaj është i bindur se ata janë tradhtuar.

“Sot e kësaj dite jam i bindur se janë tradhtuar dhe janë tradhtuar nga udhëheqësia e Maqedonisë”, ka thënë ai.

Zekaj shpjegoi se nuk është i vetmi të cilin nuk po e lejojnë të marrë pjesë në seancat gjyqësore.

“Po bëj pak probleme”, thotë Zekaj i pyetur se pse nuk po e lënë të futet brenda.

Përveç tij, Zekaj thotë se nuk është lejuar as ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysaj.

Ndonëse e vlerëson përpjekjen e tij për të marrë pjesë në seancë, Zekaj shpjegoi se si ambasadori u largua menjëherë, çka sipas tij, nuk është sjellje e duhur e korrekte për një ambasador.

Emisioni i plotë: