Arbëri

Ferizaj me investime milionëshe në pronat që duhet t’ia kthejë AKP-së

Investime në Ferizaj, AKP

Investimet që Komuna e Ferizajt i ka nisur e të tjera që ka planifikuar janë në pronat që duhet t’ia kthejë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilat Komuna po i shfrytëzonte me vendim të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në disa prej këtyre pronave që tash, me vendim të kryeministrit Albin Kurti duhet t’i kthehen AKP-së, Komuna e Ferizajt veçse ka planifikuar e investuar projekte të shumta, ndër to shkolla, ambulanca e fusha sportive

Një varg projektesh në Komunën e Ferizajt, që kapin shifra milionëshe, janë planifikuar e kanë nisur të jetësohen në disa prona, të cilat me vendim të Qeverisë Kurti, duhet t’i kthehen Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Toka, ku tashmë kanë nisur të ndërtohen dy shkolla në Ferizaj, është pronë e AKP-së, që me vendim të Qeverisë Haradinaj, para katër vjetësh, i ishte dhënë në shfrytëzim Komunës. Njëra nga të dy shkollat që po ndërtohen, është financuar nga vetë Qeveria dhe vlera e saj, sipas zyrtarëve komunalë, është rreth dy milionë euro.

Pos shkollave, në parcelat që Komuna ka marrë në shfrytëzim nga AKP-ja, me planet zhvillimore komunale, është planifikuar edhe ndërtimi i dy qendrave të mjekësisë familjare e fushave sportive.

Sabri Murseli, drejtor i Drejtorisë së Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë në Komunën e Ferizajt, e ka quajtur të dëmshëm vendimin e Qeverisë, i cili ishte marrë para dy javësh në një mbledhje të mbajtur në fundjavë. Murseli ka thënë se me kthimin e pronave do të stopohen projektet e planifikuara e kjo do t’i shkaktojë dëm Komunës.

“Në kuadër të këtij vendimi kanë qenë disa parcela që janë vitale për Komunën e Ferizajt dhe në të cilat Komuna e Ferizajt me planet e saj zhvillimore komunale ka planifikuar të implementojë disa projekte, siç janë projektet me interes të përgjithshëm për ndërtimin e shkollave, fushave sportive, QMF-ve dhe disa projekteve të tjera kapitale”, ka thënë ai.

Nga Komuna janë shprehur të shqetësuar për mënyrën e vazhdimit të implementimit të projekteve në pronat në të cilat tashmë është investuar. Lidhur me këtë, KOHA ka adresuar pyetje në Qeveri dhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, porse përgjigje nuk ka marrë.

Edhe për vendimin, zyrtarët komunalë pohojnë se janë njoftuar nga mediat dhe se për këtë çështje nuk kanë pasur kurrfarë konsultimi paraprak me MAPL-në apo me Zyrën e kryeministrit.

Shqetësuese e ka vlerësuar mungesën e komunikimit midis ekzekutivit dhe komunave, Pal Lekaj, deputet opozitar dhe përfaqësues i subjektit politik të ish-kryeministrit Haradinaj. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri që ta rishikojë vendimin. Ai ka paralajmëruar se për këtë çështje do të diskutohet edhe në Kuvend.

“E ka dëmtuar procesin sepse shumë komuna kanë filluar të zbatojnë apo implementojnë vendimin paraprak të ish-kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë Haradinaj. Dhe në këtë drejtim ka krijuar huti dhe mund të themi që është vendim i dëmshëm, i papranueshëm dhe duhet të rishikohet ky vendim. Sepse i ka dëmtuar në masë të madhe të gjitha komunat pa dallime partiake”, ka deklaruar Lekaj.

Përveç Ferizajt, pronat AKP-së do t’ia kthejë edhe Komuna e Gjilanit, Suharekës, Skenderajt, Deçanit, Junikut dhe e Hanit të Elezit.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nga disa krerë të komunave ka marrë konfirmim se këtë vendim të Qeverisë do ta kundërshtojnë në mënyrë ligjore. Edhe ai ka pasur vërejtje për moskonsultimin paraprak të Qeverisë me komunat. Ibrahimi ka shtuar se ky vendim është i dëmshëm edhe për shkak se ka kryetarë të cilët e kanë hartuar planin zhvillimor, i cili është miratuar nga niveli qendror dhe në të njëjtin për 5 vjetët e ardhshëm, siç thotë ai, nuk lejohet të bëhen ndryshime.

“Të gjitha vendimet e kuvendeve komunale të cilat kanë të bëjnë me ndërtimet në këto prona, të cilat tash po kontestohen nga kjo Qeveri, e cila duhet të ketë kontinuitet në vendime, janë shqyrtuar nga aspekti ligjor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka thënë Ibrahimi.

Ky vendim i kabinetit qeveritar është marrë duke shfuqizuar vendimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, të marrë më 2018.