Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë 23 vjet më parë në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan.
Në Qyshk u vranë 44 civilë, në Pevlan 21, në Zahaq 17 e në Llabjan 13.
Ishin dëbuar me qindra civilë dhe u plaçkitën e u dogjën shtëpitë.
Sot përkujtojmë krimet makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.
Kurti ka thënë se për disa prej rasteve të vrasjeve në këto masakra ishte iniciuar gjykim në Beograd si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Fondi për të Drejtat Humanitare. Mirëpo, ai thotë se ndonëse janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, ende nuk ka asnjë të dënuar me aktgjykim përfundimtar.
“Aktakuza ishte ngritur në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me Aktgjykim të shkallës së parë tre persona u dënuan me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me 5 vjet, dy me nga 2 vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave u tërhoqën akuzat. Por, në shkurt të vitit 2015 Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim. Prej 2015-ës disa të akuzuar kanë vdekur, e disa janë larguar nga aktakuza për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore. Megjithatë qysh prej vitit 2015, gjykimi është akoma duke vazhduar. Prej vitit 2015, s’ka asnjë rezultat konkret. Përkundër faktit që janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, akoma sot, në vitin 2022, nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, e familjet të jenë të qetë duke e ditur që kriminelët kanë marrë dënimin e merituar”, ka shkruar Kurti në Facebook.