Arbëri

Shasha dyshon që Kosova mund të pranohet në Këshillin e Evropës pa përparim në dialog

Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka shprehur dyshimet e tij nëse Kosova mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Sipas Shashës, që nga viti 2012, Kosova nuk ka bërë avancim ndërkombëtar pa bërë progres në dialog.

Kosova të enjten, përmes ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës. KiE ka 46 shtete anëtare, dhe Kosovës i duhen 31 vota për t’u pranuar.

“Nëse shikojmë në të kaluarën, çdo avancim ndërkombëtar i Kosovës ka qenë i ndërlidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është e vërteta e historisë, s’ka rëndësi a na pëlqen neve a jo. Nga shpallja e pavarësisë deri në vitin 2011, mund të konkludojmë se faktorizimi ndërkombëtar i Kosovës nuk ka qenë i lidhur me Serbinë, por pas nisjes së dialogut politik, gjithçka ka qenë e lidhur me të. Edhe sot, jemi po të njëjtën situatë. E kam të vështirë ta parashikoj një faktorizim ndërkombëtar të Kosovës. Edhe mund të ndodhë, por historia na tregon se nuk ka ndodhur. Testin e parë do ta kemi në Këshill të Evropës. Nëse pranohemi, pa bërë progres në dialog, ky do të jetë momentumi i parë politik i faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës që nga viti 2012 pa progres në dialog. Unë këtë dyshoj, por është testi para nesh dhe të shohim. Kosova ka bërë një aplikim të suksesshëm, i ka votat. Por nuk duhet nënvlerësuar kapaciteti diplomatik i Serbisë. Meqë aplikimi u bë publik, tani beteja duhet të bëhet në heshtje për t’i siguruar votat për pranim në KiE”, ka thënë Shasha në “Interaktiv” të KTV-së.

Përjashtimi i Rusisë nga KiE, sipas Shashës, është një rrethanë lehtësuese për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në këtë Këshill.

“Është rrethanë lehtësuese, por Kosova ka pasur votat për t’u anëtarësuar edhe në kohën e Rusisë. Ajo çfarë ka ndodhur në të kaluarën, besoj që ka qenë një hezitim i shteteve evropiane që të përkrahin aplikimin e Kosovës në KiE. Hezitim që është bazuar në dy gjëra, nuk kanë dashur të provokojnë Serbinë dhe e dyta nuk kanë dashur ta vendosin Rusinë në pozitë humbëse. Pra, këto dy arsye kanë penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE. Tani, ky realitet ka ndryshuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Kjo ka bërë që Evropa ta ulë tolerancën ndaj Rusisë. Ulja e tolerancës i ka dhënë shansin Kosovës që të aplikojë”.

Sipas drejtorit të Institutit EPIK, dialogu ka hyrë një stad të ngrirë tash e dy vjet, e kjo sipas tij, ka bërë që t’i humbë edhe kuptimi duke u diskutuar për, siç thotë Shasha, “çështja të imta siç janë targat”.

“Dialogu ka hyrë në një stad të ngrirë, në një moratorium qe dy vite. Dialogu ka humbur kuptimin. Nëse vendosni në sfond detajet kaq të imta që po diskutohen me luftën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore - vendosni në sipërfaqe dhe shihni se sa joserioze janë përpjekjet e tilla. Kjo qasje po dëshmon se nuk ka përkushtim për të gjetur zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Secila palë në këtë sfondin e moratoriumit po zgjedh pjesët të cilat i pëlqen. Ne i akuzojmë ata, ata na akuzojnë neve. Është një mjedis jokonstruktiv për avancim të dialogut. Derisa sa s’ka një përfshirë të nivelit të lartë politik të SHBA-së e BE-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes të fundit në Ballkanin Perëndimor, pas çështjeve të hapura mes Greqisë e Maqedonisë së Veriut, nuk mund të bëhet një progres kuptimplotë serioz i cili do të ruajë stabilitetin afatgjatë në Ballkan, por të do të vazhdojë me kësi lloj diskutimi siç janë targat, nesër diplomat, pasnesër diçka tjetër”, ka deklaruar Shasha.