Arbëri

Qytetarët ankohen se po u keqpërdoren të dhënat e tyre për marketing

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka trajtuar 15 ankesa të qytetarëve në të cilat ata shprehin pakënaqësinë për përdorimin e të dhënave personale për qëllime marketingu nga subjekte të caktuara. Gjobat për shkelësit e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas AIP-së, lëvizin nga 4.000 deri në 10.000 euro

Pesëmbëdhjetë nga 50 ankesat e dorëzuara nga qytetarët në Agjencinë për Informim dhe Privatësi kanë të bëjnë me përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime marketingu. Kjo formë është e përhapur sidomos te kompanitë e mëdha që reklamojnë produktet e tyre pa lejen e qytetarëve. Për 11 ankesa Agjencia ka marrë vendime për ndalimin e veprimtarisë së tillë, derisa tri i ka në procedurë. Për njërën prej tyre, siç ka treguar inspektori për mbrojtjen e të dhënave personale në AIP, Arbian Arifi, është shqiptuar gjobë prej 4.000 eurosh për përsëritje të shkeljes.

“Në momentin që kemi pranuar ankesë nga subjekti i njëjtë ne kemi qenë të detyruar të shqiptojmë, e të cilat gjoba nuk janë të vogla. Gjobat për shkeljen e dispozitave lidhur me marketingun e drejtpërdrejtë variojnë nga 4.000 euro në 10.000 euro, të cilat besoj që për një biznes privat janë mjaft të larta”, ka thënë Arifi.

Pëlqimi i klientit apo palëve të tjera është i domosdoshëm, sipas tij, në mënyrë që të mos shkelet Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Kriteret ligjore, të cilat i parasheh Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është marrja e pëlqimit paraprak nga subjekti i të dhënave për ta adresuar këtë marketing. Obligimi kryesor për kontrolluesit është që të jenë transparentë lidhur me atë se çfarë bëjnë. Marketingu i drejtpërdrejtë konsiderohet si çdo operacion tjetër i përpunimit të të dhënave personale dhe në bazë të kësaj duhet t’i plotësojë kriteret ligjore”, është shprehur ai.
Në rast se të gjobiturit do ta shkelin përsëri vendimin e AIP-së, ky institucion aplikon gjobat maksimale.
“Gjatë marrjes së vendimit të shqiptimit të gjobave agjencia merr për bazë bashkëpunimin e kontrolluesit (v.j. të të dhënave) me agjencinë. Nëse i njëjti ka bërë vepër të njëjtë, apo është recidivist në këtë aspekt, agjencisë nuk i mbetet tjetër përveçse të shkojë në maksimumin e gjobave që lejohet për shkeljen e së njëjtës”, ka thënë Arifi.

Edhe në rast se qytetarët japin pëlqim një herë, ata ligjërisht e kanë të drejtën për ta tërhequr atë.

“Subjekti i të dhënave në çdo kohë mund të kërkojë me shkrim që kontrolluesit e të dhënave të ndërpresin në mënyrë të përhershme ose të përkohshme përdorimin e të dhënave personale të tij ose të saj për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë. Brenda tetë (8) ditëve pas pranimit të kundërshtimit nga subjekti i të dhënave, kontrolluesit e të dhënave duhen të ndalojnë përdorimin e të dhënave personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë dhe brenda pesë (5) ditëve pasuese ata duhet të informojnë me shkrim subjektin e të dhënave për aprovimin e kërkesës së tyre”, thuhet në nenin 74 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave personale.

Qytetarët kanë mendime e përvoja të ndryshme për marketingun direkt. Hamide Pacolli-Gashi thotë se i kanë marrë pëlqim.
“Kryesisht janë reklama që i kam aprovuar, e kam dhënë numrin tim (v.j. të telefonit) vullnetarisht, qoftë butikëve që reklamojnë institucioneve të ndryshme, bankave apo kompanive të tjera... Pak a shumë mund të jetë marketing direkt që bëhet, por mua s’më pengon”, ka thënë Pacolli-Gashi nga Prishtina.

Por, një tjetër qytetar tregon se këtë javë brenda një dite i kanë mbërritur dy mesazhe reklamuese në telefon.

“Te njëra kam realizuar blerje, por nuk e di nëse kjo ia jep të drejtën ta përdorë numrin tim për promovimin e produkteve dhe të ashtuquajturave oferta me zbritje. Ky fenomen tregon se sa të cenueshëm e kemi privatësinë dhe se si përdoren këto forma për reklamim pa pagesë tek numër i pakufizuar personash”, ka thënë ai.

Një tjetër qytetar që po ashtu nuk ka treguar emrin ka thënë se nuk i ndodh t’i vijnë mesazhe të tilla.

KOHA e ka kontaktuar edhe “Bluechip International L.L.C”, që është gjobitur me vendim të Agjencisë, por nuk ka marrë përgjigje. Sipas Agjencisë, deri më tani qytetarët janë ankuar si për telefonata ashtu edhe për mesazhe e emaile, për të cilat s’kanë dhënë pëlqim.