Arbëri

Shndërruesi i Kalasë së Vushtrrisë në restorant, i dënuar për bashkëkryerje të një vrasjeje

Njeriu që do ta shndërrojë Kalanë e Vushtrrisë në restorant, Mentor Salihu, ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim për bashkëkryerje të një vrasjeje para 12 vjetësh, raporton KTV.

Pos tij, për këtë rast kanë qenë të dënuar edhe njëri vëlla dhe babai i tij, ndërsa vëllai tjetër vazhdon të jetë në arrati. E iniciativa qytetare në rrjetet sociale “Qytetarët në mbrojtje të Kalasë” ka kërkuar anulim të kontratës nga IKMM-ja.
 

Për bashkëkryerje të vrasjes, shfrytëzuesi i ri i hapësirave të Kalasë së Vushtrrisë, Mentor Salihu, ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim.

Njeriu që do ta kthejë kalanë në restorant, në vitin 2005 së bashku me dy vëllezërit dhe babait e tij ka qenë i përfshirë në vrasjen e Nexhat Mehollit.

Për këtë rast, Mentor Salihu ka qenë i dënuar me 10 vjet burgim, njëri vëlla 8 vjet, babai tij 1 vit e gjysmë dhe vëllai tjetër është ende në arrati.

Kjo është konfirmuar për KTV-në nga kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqri Syla.

Ndërsa përfaqësues iniciativës “Qytetarët në mbrojtje të Kalasë” kanë kërkuar anulimin e kontratës.

“Ne si grup qytetarësh nuk kemi probleme me individë të caktuar e as persona fizik apo bizneset, problemi qëndron tek pakënaqësia jonë si qytetarë me vendimin e Institutit për ta dhënë Kalanë, të vetmen hapësirë publike të të rinjve, në shfrytëzim për restorant. Madje në mënyrë tejet jo transparente!”

Leonora Aliu – Përfaqësuese e Iniciativës “Qytetarët në mbrojtje të Kalasë”

Tutje ky grup ka fajësuar qeverisjen lokale për viktimizim, edhe pse sipas tyre, kjo e fundit ka mundur ta ndalë atë që në reagim është quajtur çmenduri.

Javën e kaluar Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka dhënë në shfrytëzim për 5 vjetët e ardhshëm Kalanë e Vushtrrisë, Mentor Salihut, dajë i kryetarit Bajram Mulaku.

Por Mulaku, një ditë më herët, ka thënë se ai nuk ka ndikuar në përzgjedhjen madje ka thënë se komuna nuk ka qenë në dijeni për këtë.

I kontaktuar nga KTV-ja, i pari i këtij Instituti, Agim Gërguri, përmes telefonit ka thënë se në nuk kanë qenë në dijeni se Salhiu ka qenë i dënuar për vrasje, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin më një qëndrim, ku nuk përjashtoi as mundësinë e anulimit të kontratës.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me Mentor Salihun, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.