Arbëri

Kthehet në punë kryetarja e suspenduar e Gjykatës në Mitrovicë, raporton për tremujorin e parë të vitit

Lilijana Stevanoviq

Pas afro dy muaj suspendim, Ljiljana Stevanoviq është kthyer në pozitën e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Suspendimi i Stevanoviqit kishte ardhur pasi e njëjta ishte pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Beograd me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, ku kishin marrë pjesë edhe disa zyrtarë tjerë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës.

Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë treguar se Stevanoviq ka arritur marrëveshje për pranimin e përgjegjësisë disiplinore me Panelin Hetimor, marrëveshje kjo e cila është aprovuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Ndërsa nuk dihet se çfarë sanksioni disiplinor i është shqiptuar kryetares Stefanoviq pasi rasti ende nuk ka përfunduar dhe ende nuk është publikuar vendimi për arritjen e kësaj marrëveshje.

Ndryshe, në takimin e 287-të të KGJK-së kryetarja Stefanoviq ka prezantuar raportin e punës për tremujorin e parë të vitit 2022, të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degëve të kësaj gjykate.

Raportimi i kryetares Stefanoviq ka qenë në gjuhën serbe dhe KGJK nuk ka ofruar përkthim në gjuhën shqipe për publikun.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 281-të, kishte marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

Veç kësaj, KGJK po heton edhe dy gjyqtaret serbe, gjyqtaren Dragica Jakovleviq – Gjyqtare Mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok dhe Tatijana Vrijeviq, Gjyqtare Mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq.

Kjo është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, me 5 maj 2022.

Pasi, është raportuar se bashkë me kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë kanë marrë pjesë edhe gjyqtaret, e lartcekura.

Për këto dy të fundit, Këshilli, në mbledhjen e mbajtur me datë 20.04.2022, ka bashkuar procedurën disiplinore për dy kërkesat dhe ka themeluar një panel hetimor./Betimi për Drejtësi