Arbëri

Kuvendi i Shqipërisë rrëzon rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë

Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Shqipërisë, maj 2022

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e deputetit Tritan Shehu për të votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës.

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara dhe se është kusht themelor që të mos përsëritet. Ai i ka incizuar me telefon deputetët teksa votonin kundër. Berisha hodhi akuza edhe ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke e quajtur një Putin të vogël që është i gatshëm për gjenocide.

Ndërsa, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se kur Sali Berisha ishte president, ka lejuar furnizimin me naftë të ushtrisë jugosllave gjatë masakrës në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës./Euronews Albania


Balla i thotë Sali Berishës: Je tradhtar i luftës së Kosovës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e ka akuzuar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën, duke e quajtur përgjegjës kryesor për Masakrën e Srebrenicës.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend të Shqipërisë të enjten, kur ishte paraparë të votohej rezoluta për gjenocidin serb në Srebrenicë, Balla, e ka akuzuar Berishën edhe si tradhtarin e Luftës së Kosovës.

“Erdhe si cjapi te kasapi sot o Sali. Kisha kohë që doja të thosha disa gjëra, kemi bërë gabim që si kemi hapur më parë petat me ty. Më dëgjoni me vëmendje se kjo çështje nuk mbyllet sot. Është ajo gazeta letër higjienike që ti quan dhe në bazë të këtij raporti SHBA-të arrijnë përfundimin se Shqipëria po thyen embargon. Ja thashë dje kryetarit që kishe lënë ti, Tritan Shehut dhe ne mund të biem dakord për një rezolutë, por kurrë një rezolutë që të vijë me firmën tënde. Ti nuk merr asnjëherë asnjë mbështetje, kurrë. 4 vite sa të jesh këtu, kurrë, nuk do jesh 4 po nejse, do flasim. Libri që quhet rregullat e heshtjes dhe thotë kemi pasur marrëveshje të heshtur me Berishën për të shtrirë tubat në Liqen të Shkodrës për të vënë tubat në Bunë dhe në formë pluskuese dhe për të çuar naftën në Mal të Zi. Tani ndjen ndonjë përgjegjësi që ke thyer embargon e Kombeve të Bashkuara me marrëveshje? E thotë homologu yt i Malit të Zi. Është e shkruar në raport, nuk është çudi që u shpalle ‘non grata’. Unë nuk e kuptoj ku e gjen ti që je dhe i pari, se pas kaq vitesh njeriu ka një lloj keqardhje se kanë vdekur 8 mijë njerëz. Ti ke përgjegjësi direkte se ke furnizuar makinerinë e luftës me naftë. Ky është fundi i botës dhe për disa këtu që kanë vënë firmën pa e ditur çfarë kanë firmosur. Ti nuk duhet të jesh në këtë sallë. Ti je kot fare dhe duhet të mbash përgjegjësi për këtë. Kjo është vepër penale që nuk parashkruhet. Kjo është një çështje që drejtësia duhet ta rihapë. Thyerja e embargos së Kombeve të Bashkuara duhet të hapet. Sa i përket luftës së Kosovës, mbetesh tradhtari më i madh”, tha Balla.

E deputeti nga radhët e PD-së, Sali Berisha, ka thënë se kjo nismë për ta njohur si gjenocid atë që ngjau në Srebrenicë, është akt i domosdoshëm.

“Kjo seancë shënon një moment të rëndësishëm, në jetën e këtij parlamentit dhe po kaq me rëndësi për kombin shqiptar. Nisma e deputetëve të Grupit të PD për të dënuar gjenocidin serb në Bosnjë është nismë që synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës, në tërësi burra dhe djem të besimit myslimanë, të vendosur në një zonë të mbrojtur nga OKB, ka synim të shprehë nderimin për viktimat e kësaj barbarie më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore të regjistruar në Evropë. Ka synim të shprehë solidaritetin me boshnjakë, ka synim të dënojë një akt të pashembullt. Udhëheqësit aktual me në krye Aleksandër Vuçiq, janë arkitektë të këtij gjenocidi. Kemi detyrim për të dënuar këtë denoncim. Vuçiqi tha “për çdo serb të vriten 100 boshnjakë”. Shqipëria ndihmoi gjatë luftës në Bosnjë në të gjitha mënyrat, ka marrëdhënie miqësore me Bosnjën, ndaj ju ftoj zotëri të votojmë këtë rezolutë si një detyrim madhor të një kombi , për të detyruar Serbinë të njohë krimet e saj që ta bazojë tek paqja bashkëpunimin me fqinjët e tij”, tha Berisha./TCH