Ambasadorja që ishte kontestuar për mënyrën e pranimit dhe gradimit në shërbimin e jashtëm është ngarkuar me detyra shtesë nga Qeveria aktuale.
Mbështetur në informacionet që ka siguruar KOHA, ambasadorja aktuale në Panama, Heroina Telaku, është emëruar ambasadore jorezidente edhe në tetë shtete të tjera: Kosta-Rika, Honduras, El Salvador, Guajana, Barbados, Shën Kristofor dhe Nevis, Shën Lucia dhe Belize.
Telaku së fundi e shoqëroi presidenten Vjosa Osmani gjatë vizitës në Panama e Kosta-Rikë.
Por Shoqata Sindikale që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme prej kohësh ka kontestuar avancimin e saj në shërbimin e jashtëm dhe ka pretenduar të jenë bërë shkelje ligjore në këtë rast.
“Znj. Heroina Telaku, shefe e kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, z. Hoxhaj dhe këshilltare politike që nga viti 2011, pranohet në shërbimin civil të MPJ-së diku në vitin 2014 si zyrtare e lartë në një departament në MPJ, më pastaj avancohet në udhëheqëse të Departamentit për Planifikim Strategjik, dhe në fillim të vitit 2016 ishte emëruar këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër. Pas më pak se një vit nga emërimi me mision në Londër, përmes rekomandimit të drejtorit të përgjithshëm, pa konfirmim të Komisionit për Grada dhe Disiplinë, nga ministri i Jashtëm ngrihet me gradë diplomatike ministër këshilltar”, thuhet në raportin e Shoqatës Sindikale të MPJD-së.
Ambasadorja Telaku dhe as zyrtarë të Ministrisë nuk kanë ofruar përgjigje për këto pretendime dhe as nuk kanë treguar nëse është shqyrtuar ligjshmëria e pranimit dhe ngritjes së saj në grada.
E, në shkresat e Shoqatës Sindikale përmendet edhe rasti i Zana Rudit, ish-ambasadore në Panama, për rrugëtim të ngjashëm: nga ish-këshilltare e ministrit në diplomate të karrierës, nëpërmjet konkursit të vitit 2011, rezultatet e të cilit nuk janë shpallur asnjëherë. 11 zyrtarë që ishin pranuar nëpërmjet këtij konkursi, ministrja Gërvalla i shkarkoi në mars të këtij viti.
Janë edhe rreth 30 zyrtarë të tjerë që janë pranuar nëpërmjet të njëjtit konkurs, por për të cilët deri tash ministrja Gërvalla nuk ka nxjerrë vendime për shkarkim.
Në disa raste, shefja e diplomacisë është denoncuar për qasje selektive nga sindikalistët e Ministrisë së Punëve të Jashtme.