Arbëri

“20min” sjell rrëfimin për kosovarin që shpëtoi serben nga zjarri

Mexhidi, kosovari 26-vjeçar, mbiemri i të cilit nuk është bërë i ditur, ia ka shpëtuar jetën një vajze serbe gjatë muajit të kaluar, ka shkruar të hënën gazeta zvicerane “20min.ch”.

Siç raporton gazeta zvicerane, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë së serbes me emrin Ivana, shtëpia e të cilës mori flakë më 24 prill.

“Isha e vdekur dhe më rikthyen në jetë. Mbrëmjen e së dielës, 24 prill, dysheku ka marrë flakë për një arsye ende të paqartë”, ka sqaruar ajo për “20min.ch”.

E lënduar rëndë, ajo kaloi katër ditë në spital para se të kthehej në shtëpi në Eaux-Vives. Kjo ngjarje pati fund të lumtur, vetëm pasi kosovari që ka kaluar rastësisht afër apartamentit të saj, ka hyrë për të ndihmuar.

“Dikush po bërtiste në një ballkon. Nga dritarja e katit të poshtëm dilte tym dhe hyra. Kishte aq shumë tym sa nuk gjeta njeri. Dola për të marrë frymë dhe u ktheva. Aty munda ta tërhiqja zvarrë Ivanën në dritare, por jo ta nxirrja jashtë. Një fqinj më dha një leckë të lagur, shkova përsëri, më pas arritën edhe zjarrfikësit”, ka treguar Mexhidi.

Rasti që ndodhi në mbrëmjen e Pashkëve Ortodokse dhe në një prej ditëve të Ramazanit, bëri që Ivana të tregojë gati me mosbesim se si një kosovar ia shpëtoi jetën.

26-vjeçari, i cili po ashtu është shtruar në spital, nuk kishte dijeni për origjinën e Ivanës.

“Edhe po ta dija, nuk do të kishte ndryshuar asgjë. Ishte një jetë për t’u shpëtuar, serb apo shqiptar, nuk ka rëndësi”, ka deklaruar ai.