Arbëri

Kosova e Izraeli të hënën nënshkruajnë memorandumin e parë të mirëkuptimit

Kosova e Izraeli të hënën nënshkruajnë memorandumin e parë të mirëkuptimit, maj 2022

Kosova dhe Izraeli do të nënshkruajnë memorandumin e parë të mirëkuptimit të hënën, më 9 maj, ka njoftuar Qendra Përkujtimore Botërore e Holokaustit, Yad Vashem.

Në komunikatën e lëshuar nga kjo qendër thuhet se ky memorandum do të vendosë lidhjet formale midis Shkollës Ndërkombëtare për Studimet e Holokaustit dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës.

“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz do të vizitojë Yad Vashem, Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit. Ministrja Gërvalla-Schwarz do të vizitojë Muzeun Historik të Holokaustit, do të marrë pjesë në një ceremoni në Sallën e Kujtesës, do të vizitojë Memorialin e Fëmijëve dhe do të nënshkruajë Librin e të ftuarve Yad Vashem. Gjatë vizitës së saj, Ministrja do të nënshkruajë Memorandumin e parë të Mirëkuptimit që vendos zyrtarisht lidhjet formale ndërmjet Shkollës Ndërkombëtare për Studimet e Holokaustit të Yad Vashem dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, një vend me shumicë myslimane në Ballkan”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.

Gërvalla, e cila po qëndron në vizitën e saj të parë zyrtare në Izrael, është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të këtij vendi, Roy Roznek.