Arbëri

22 të vdekur në aksidente trafiku në tre muajt e parë të 2022-s

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend, sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, janë regjistruar 20 aksidente trafiku me të lënduar dhe 29 me dëme materiale. E në javën e parë të këtij muaji, tre persona kanë vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident. Siguria në rrugë po vlerësohet shqetësuese nga eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, i cili thotë se mungojnë institucione të cilat kryejnë analiza dhe hulumtime mbi shkaqet e aksidenteve. Në Polici ngulmojnë në respektim të rregullave në komunikacion.

Njëzet aksidente trafiku, policia i ka regjistruar në 24 orët e fundit, e në tre muajt e parë të vitit, kjo shifër shkon në 4 mijë e 528.

Derisa 1 mijë e 583 veta kanë pësuar lëndime trupore në këta tre muaj, 22 kanë përfunduar me fatalitet.

Vetëm në javën e parë të majit, si pasojë e lëndimeve të marra, tre persona kanë vdekur.

Policia ka kërkuar kërkuar respektim të rregullave të komunikacionit, tek ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 159 mijë e 353 tiketa.

“Policia e Kosovës me njësitë e saj në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të ju përshtaten rregullave, kushteve të rrugës, si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për një siguri më të madhe në trafik”, ka thënë Policia.

Rritjen e aksidenteve thonë ta kenë vërejtur edhe në emergjencën e QKUK-së.

“Ditëve të fundit, numri i të lënduarve si rezultat i fatkeqësive në trafik është rritur dukshëm dhe një numër i tyre përfundojnë me fatalitet… Lëndimet janë të llojllojshme, zakonisht kemi fraktura të gjymtyrëve, të ekstremiteteve, gjakderdhje në kokë, pastaj kemi lëndime të boshtit kurrizor e ato raste mund të themi se përfundojnë me invaliditet të përhershëm apo të pjesërishëm”, ka thënë Avdush Bajgora, mjek kujdestar në QKUK.

Shqetësuese e quan sigurinë në rrugë eksperti i komunikacionit rrugor, Nol Dedaj. Potencon se mungesa e hulumtimeve për shkaqet e aksidenteve në Kosovë ka bërë që të mos evidentohen e të eliminohen ato.

“Mungon Agjencia e Sigurisë Rrugore, mungojnë institutet e sigurisë rrugore, pastaj mungon edhe strategjia e cila në kuadër të institucioneve është e nevojshme shumë që të krijohet edhe strategjia e sigurisë rrugore”, është shprehur ai.

Ai thotë se për sigurinë rrugore është i rëndësishëm krijimi i këtyre institucioneve, duke përmendur disa nga faktorët më të shpeshtë që ndikojnë drejtpërdrejt në aksidente.

“Disa aksidente madje na ndodhin varësisht prej kushteve të krijuara, në qoftë se ne brenda kësaj jave kemi pasur një festë, kemi pasur rrugën e lagur pastaj numri i automjeteve edhe sheh sa bukur mund të identifikohen këto probleme, faktori njeri, faktori automjet, edhe faktori klimatik-rrugë”, ka thënë Dedaj.

KOHA që nga dita e martë ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës për hapat dhe strategjinë që janë duke ndërmarrë për të ofruar siguri më të madhe në rrugë, por sqarime nuk ka pranuar.