Arbëri

Identifikimi biometrik i punëtorëve, shkelje e katërfishtë e ligjit

Regjistrimin e të dhënave biometrike për të mbajtur evidencat e hyrje-daljeve të punonjësve, Agjencia për Informim dhe Privatësi ua ka ndaluar dy ndërmarrjeve në Kosovë. Në vendimet që i ka marrë, agjencia i ka urdhëruar që të ndalin përpunimin e të dhënave të tilla. Inspektim agjencia ka paralajmëruar edhe në Universitetin e Prishtinës. E në UP kanë thënë se të kenë kërkuar opinion ligjor për këtë çështje rreth një muaj më parë

Ankesa ndaj regjistrimit të të dhënave biometrike janë ngritur edhe në Kosovë. Agjencia për Informim e Privatësi ua ka ndaluar me vendim, përdorimin e pajisjeve për regjistrimin e të dhënave të tilla, për hyrje-daljet e punonjësve, dy ndërmarrjeve. Agjencia ka konstatuar se Telekomi i Kosovës dhe ELNOR SHPK nuk kanë bazë ligjore dhe se shkelin katër nene të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Nëpërmjet këtyre vendimeve, AIP-ja ka vendosur për ndalimin e përpunimit të të dhënave të fytyrës së personave, t’i shkatërrojnë ato ekzistuese dhe t’i raportojnë agjencisë brenda 15 ditësh për zbatimin e vendimit. Gjatë inspektimit në Telekom, janë gjetur shtatë pajisje të tilla, që i kanë marrë të dhënat biometrike qindra punëtorëve dhe se ka pasur teknologji të tillë të instaluar nëpër objekte të ndryshme në kryeqytet.

“Gjatë inspektimit është konstatuar se Telekomi i Kosovës Sh.A (në cilësinë e kontrolluesit), ka të instaluar pajisje të tipit ZKTECO, e cila ka të integruar algoritmin për fytyrë (face algorithm ZKFace VX7.0). Në ndërtesën kryesore të kontrolluesit janë të vendosura shtatë (7) pajisje, në objektin e kontrolluesit i cili gjendet në sheshin “Zahir Pajaziti” është e vendosur një (1) pajisje dhe në objektin tek rruga “UÇK” (tek Qafa), janë të vendosur dy (2) pajisje. Qëllimi i instalimit të këtyre pajisjeve është bërë për shkak të sigurisë, por që të njëjtat përdoren edhe për identifikimin e hyrje/daljeve të punëtorëve dhe regjistrimin e orëve të punës. Në sistem janë të regjistruar afërsisht mbi 700 punonjës, të cilëve pajisja ua ka regjistruar tiparet e fytyrës”, shkruhet në vendimin për Telekomin.

Në Telekom janë zotuar se do ta zbatojnë vendimin, ndonëse shqetësuese e kanë vlerësuar situatën e sigurisë. Si shqetësuese sigurinë e kanë vlerësuar veçanërisht pas luftës në Ukrainë.

“Telekomi i Kosovës do ta respektojë dhe zbatojë në tërësi vendimin e AIP-it. Ne do të vazhdojmë të përforcojmë masat e sigurisë, sipas kërkesave të institucioneve kompetente të sigurisë si reagim ndaj gjendjes së komplikuar të sigurisë në vend dhe rajon. Kjo sidomos ka të bëjë me sigurimin e pajisjeve dhe të dhënave, pas aktiviteteve shqetësuese, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe reflektimit të saj edhe në rajonin tonë!”, ka shkruar Telekomi në përgjigje. Ka sqaruar se pajisjet ekzistuese do të vendosen konform kërkesave specifike të AIP-it si dhe do të furnizohen me pajisje shtesë me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë, në objektet e tyre në tërë territorin e Kosovës. “Pajisjet ekzistuese janë të domosdoshme për të siguruar qasjen në hapësira të rëndësisë së veçantë dhe për përdorimin e tyre tashmë kemi kërkuar aprovim nga AIP”, ka shkruar Telekomi në përgjigjen e tij.

Opinion ligjor për pajisje të tilla kishte kërkuar edhe Universiteti i Prishtinës rreth një muaj më parë, por përgjigje nuk kishte marrë. Vendosjen e tyre, sipas sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Besfort Krasniqi, e shohin formë të vetme për atë që e quajnë abuzim të hyrje-daljeve.

“Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj, Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, i është adresuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi me Kërkesën me nr. prot. 312, datë 3.3.2022, për opinion ligjor lidhur me mënyrën e evidentimit në regjistrin elektronik të kontrollimit të vijueshmërisë në punë. Kjo formë e evidentimit është konsideruar si formë e vetme me qëllim të parandalimit të abuzimeve me rastin e evidentimit dhe raportimit të hyrjeve dhe të daljeve nga puna, me qëllim të respektimit të legjislacionit të punës dhe të zyrtarëve publikë”, ka thënë Krasniqi në një përgjigje për KOHËN.

Sipas Krasniqit, UP-ja do të shohë forma të tjera se si ta rregullojë vijueshmërinë në punë, pas vendimit për Telekomin.

“Universiteti, sigurisht se mbështetur në konstatimet e organeve përgjegjëse, do t’i shqyrtojë format e tjera alternative të evidentimit të vijueshmërisë, duke mos rënë ndesh me dispozitat e Ligjin Nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka thënë ai.

Lidhur me mosinspektimin tash e një muaj të UP-së nuk ka komentuar AIP-i, por ka thënë se ka dokument udhëzues publik që udhëzon rreth përpunimit të të dhënave biometrike.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi ka të publikuar në faqen e saj zyrtare këshillën lidhur me përdorimin e të dhënave biometrike për qëllime të kontrollit të qasjes, respektivisht të evidencës së pranisë në punë. Për shkak të natyrës së ndjeshme të përpunimit të të dhënave biometrike, Agjencia ka planifikuar të kryej inspektim sipas detyrës zyrtare në këtë institucion, për të verifikuar mënyrën e përpunimit të të dhënave personale”, ka shkruar AIP-i.

Ka bërë po ashtu të ditur se në shqyrtim janë tri ankesa lidhur me të dhënat biometrike. Palët ndaj të cilave janë shtruar ankesat janë si ndërmarrjet private, ashtu edhe institucionet publike.

“Deri më tani, në proces të shqyrtimit janë edhe 3 ankesa, 2 ankesa përfshijnë kontrolluesit nga sektori publik dhe një kontrollues nga sektori privat. Për të gjithë këta kontrollues, Agjencia ka planifikuar të kryejë inspektim sipas afateve ligjore. Pra, përdorimi i karakteristikave biometrike duhet të konsiderohet si masë e fundit, pasi që për shkak të natyrës së ndjeshme, keqpërdorimi i tyre mund të ketë ndikim të madh në jetën e subjektit të të dhënave”, shkruhet në përgjigjen e AIP-së.

Për pajisjet e tilla, sipas kontratave në të cilat ka pasur qasje KOHA, Telekomi ka shpenzuar rreth 5 mijë euro. E Universitetit të Prishtinës, pajisjet dhe programi i kanë kushtuar 33 mijë e 100 euro. Lidhur me zbatimin e vendimit të AIP-së, KOHA pyetje i ka dërguar edhe ndërmarrjes “ELNOR”, por përgjigje nuk ka marrë.

Sipas Agjencisë, përpunimi i të dhënave biometrike duhet shmangur maksimalisht. Katër arsye për t’i marrë të dhënat biometrike, siç thotë AIP-ja, janë të rregulluara me ligj.

“Përpunimi i të dhënave biometrike, si kategori e veçantë e të dhënave personale, për qëllimet e identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, në parim është i ndaluar. Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale parasheh që karakteristikat biometrike mund të përdoren vetëm nëse është domosdoshme për kryerjen e aktiviteteve për sigurinë e njerëzve, sigurinë e pronës ose mbrojtjen e të dhënave konfidenciale dhe sekreteve të biznesit, nëse këto qëllime nuk mund të arrihen me mjete më të lehta. Pra, përdorimi i karakteristikave biometrike duhet të konsiderohet si masë e fundit, pasi që për shkak të natyrës së ndjeshme, keqpërdorimi i tyre mund të ketë ndikim të madhe në jetën e subjektit të të dhënave”, shkruhet në përgjigjen e agjencisë. Në vendimet që i ka lëshuar për ELNOR-in dhe Telekomin, agjencia ka konstatuar se “identifikimi për qëllim të regjistrimit të punonjësve të kontrolluesit, mund të arrihet edhe me mjete më të lehta që janë proporcionale me liritë dhe të drejtat e subjektit të të dhënave (v.j. punëtorëve )”.

Regjistrimi i tipareve personale si fytyra, shenjat e gishtërinjve apo syrit konsiderohen cenim i privatësisë dhe e i mbrojtjes së të dhënave personale nga avokuesit për mbrojtjen e privatësisë globalisht. Frika nga vjedhja e keqpërdorimi i këtyre të dhënave apo ajo nga vëzhgimi i vazhdueshëm, janë arsyet kryesore për të cilat marrja e të dhënave biometrike has në kundërshtarë.

Në Telekom janë zotuar se do ta zbatojë vendimin, ndonëse shqetësuese e ka vlerësuar situatën e sigurisë, tek kanë përmendur luftën në Ukrainë.

“Telekomi i Kosovës do ta respektojë dhe zbatojë në tërësi vendimin e AIP-it. Ne do të vazhdojmë të përforcojmë masat e sigurisë, sipas kërkesave të institucioneve kompetente të sigurisë si reagim ndaj gjendjes së komplikuar të sigurisë në vend dhe rajon. Kjo sidomos ka të bëjë me sigurimin e pajisjeve dhe të dhënave, pas aktiviteteve shqetësuese, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe reflektimit të saj edhe në rajonin tonë! Pajisjet ekzistuese do të vendosen konform kërkesave specifike të AIP si dhe do të furnizohemi me pajisje shtesë me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë, në objektet tona në tërë territorin e Kosovës. Pajisjet ekzistuese, janë të domosdoshme për të siguruar qasjen në hapësira të rëndësisë së veçantë dhe për përdorimin e tyre tashmë kemi kërkuar aprovim nga AIP”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Opinion ligjor për pajisje të tilla kishte kërkuar edhe Universiteti i Prishtinës rreth një muaj më parë, por përgjigje nuk kishte marrë.

Vendosjen e tyre, në UP e shohin formë të vetme për atë që e quajnë abuzim të hyrje-daljeve.

“Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj, Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, i është adresuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi me Kërkesën me nr. prot. 312, datë 3.3.2022, për opinion ligjor lidhur me mënyrën e evidentimit në regjistrin elektronik të kontrollimit të vijueshmërisë në punë. Kjo formë e evidentimit është konsideruar si formë e vetme me qëllim të parandalimit të abuzimeve me rastin e evidentimit dhe raportimit të hyrjeve dhe të daljeve nga puna, me qëllim të respektimit të legjislacionit të punës dhe të zyrtarëve publikë. Universiteti, sigurisht se mbështetur në konstatimet e organeve përgjegjëse, do t'i shqyrtojë format e tjera alternative të evidentimit të vijueshmërisë, duke mos rënë ndesh me dispozitat e Ligjin Nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka thënë Besfort Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i UP-së.

E Agjencia ka paralajmëruar inspektim në UP. Ka bërë po ashtu të ditur se në shqyrtim janë tri ankesa lidhur me të dhënat biometrike.

Për pajisjet e tilla, sipas kontratave në të cilat ka pasur qasje KOHA, Telekomi ka shpenzuar rreth 5 mijë euro. E Universitetit të Prishtinës, pajisjet dhe programi i kanë kushtuar 33 mijë e 100 euro.

Lidhur me zbatimin e vendimit të AIP-së, KOHA pyetje i ka dërguar edhe ndërmarrjes ELNOR, por përgjigje nuk ka marrë.