Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, ka thënë se është shumë me rëndësi që të mos destabilizohet Ballkani Perëndimor.
Për këtë arsye ajo ka thënë se është me rëndësi që të vazhdohet me dialog dhe të promovohet stabiliteti në këtë rajon.
Lambrecht foli në konferencë për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Serbi.
“Nuk duam që Ballkani Perëndimor të destabilizohet. Është me rëndësi të zhvillohen bisedimet dhe të promovohet stabiliteti në Ballkan Perëndimor. Ne mbështesim afrimin me BE-në. Më është bërë e qartë se sa ndikim ka Serbia në stabilitetin në Ballkan Perëndimor dhe për këtë kam thënë se është me rëndësi që edhe Serbia të japë sinjal të qartë se sa i rëndësishëm është integriteti territorial i Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë pyetje kemi pasur bisedime shumë të rëndësishme”, tha Lambrecht, raporton B92.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me integritetin territorial ka thënë se kur flitet për këtë duhet pasur pak konsideratë për Serbinë.
“Kur është pyetje për integritetin territorial ju lus ju gazetarët të qëndroni në këpucët tona. Kujtoni integritetin tonë territorial në vitin 1999 kur është shkëputur territori i një shteti sovran. Të gjithë që e kanë gojën plotë nga integriteti territorial na flasin se duhet të harrojmë Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Për këtë ju lus – e di se çfarë janë forcat politike dhe e di se çfarë kemi kaluar – por ju lus pak respekt për këtë vend”, tha Vuçiq.
Lambrecht sot do të takohet edhe me krerët e institucioneve të Kosovës, në Prishtinë.