Arbëri

Demi: Vetëm 8% e të punësuarve në Kosovë kanë paga mbi 1.000 euro

Agron Demi, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), ka publikuar të mërkurën një grafikë të pagave bruto në Kosovë të regjistruara në fund të vitit 2021, sipas së cilës, vetëm 8% e të punësuarve kanë paga mbi 1.000 euro.

Sipas grafikës, paga mesatare në Kosovë është 400 euro, derisa një numër i madh i të punësuarve marrin paga 170-264 euro, apo 21% e punëtorëve.

Grafika të cilën e ka publikuar Demi, tregon po ashtu se 8% e punëtorëve kanë paga 80-170 euro dhe 8% të tjerë kanë paga 264-300 euro.

Nga 2% e punëtorëve në Kosovë marrin paga 700-750 euro, 750-800 euro, 800-900 euro dhe 900-1000 euro. Ndërkohë, vetëm 3% e punëtorëve marrin paga 600-650 euro.

Sipas grafikës, 1% e punëtorëve marrin pagë mujore 0-80 euro.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 170 euro.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Ekonomik Social të mbajtur më 10 mars, janë dhënë dy propozime për pagën minimale: njëri 264 euro dhe tjetri 300 euro. Propozimet janë dhënë nga komisioni për çmime brenda Këshillit Ekonomik Social, por asnjëri nga to nuk ka kaluar. Nevojiten së paku 2/3 e votave të këshillit 15-anëtarësh që një propozim të kalojë.

Image