Trupi gjykues në krye me Charles Smith II, ka caktuar 18 majin 2022 si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, kanë njoftuar të mërkurën Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Seanca ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të fillojë në orën 10:00.
“Më 4 maj 2022, Trupi Gjykues II caktoi shpalljen e aktgjykimit në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për 18 maj 2022 në orën 10:00”, thuhet në njoftim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që Gucati e Haradinaj të dënohen me nga 6 vjet burgim dhe nga 100 euro gjobë.
Gucati e Haradinaj u arrestuan më 25 shtator të vitit 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve që dyshohet të jenë të Speciales, të cilat nga persona të panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK dhe bërja publike e tyre nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. /ksp
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.