Arbëri

Szunyog: Mediat duhet të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë të martën se mediat duhet të jenë të lira, pluraliste e profesionale dhe se duhet të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Szunyog, ka deklaruar se çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar”, ka thënë Szunyog përmes një deklarate për media.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve dhe formave të tjera të presionit ndaj mediave dhe përgëzoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për rolin e tij në mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes.

Duke iu referuar fushatës së dezinformimit që buron nga agresioni rus kundër Ukrainës, ambasadori Szunyog theksoi nivelin e lartë të profesionalizmit të shumicës së mediave të Kosovës në raportimin për luftën në Ukrainë dhe përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për të pritur gazetarë ukrainas në këto kohë të vështira.

Ai theksoi me shqetësim se mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare të mediave në Kosovë u përkeqësua edhe më tej nga pandemia COVID-19, duke e lënë atë të cenueshme ndaj interesave politike dhe afariste, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik.

Ndihma e vazhdueshme e BE-së për sektorin e mediave në Kosovë arrin në 2 milionë euro, ndërsa 13.5 milionë euro shtesë janë ndarë për të mbështetur lirinë e mediave në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës 2021-2023.