Arbëri

Hill: E keni gabim nëse mendoni se Rusia do ta ndihmojë Serbinë në lidhje me Kosovën

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Rusia nuk është një vend që Serbia apo ndonjë shtet tjetër do të duhej ta mendonte për mike.

Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se nëse mendohet se Rusia do t’ia zgjidhë problemet e Serbisë në lidhje me Kosovën, atëherë është mendim i gabuar.

“Rusia nuk duhet të merret model tash. Nuk është një vend që do të dëshironit si mik apo aleat. Por, në fund të fundit u takon vetë shteteve të vendosin dhe askush nuk po bën presion. Por, njerëzit në Serbi duhet të vendosin në çfarë drejtimi duan të shkojnë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë apo diku tjetër, vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thonë nëse është mirë që Serbia të mbështetet për çdo gjë në Rusinë”, tha Hill.

Sa i përket çështjes së dialogut, Hill, e ka vlerësuar shumë të vështirë. Ai ka thënë se i takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin për vazhdimin e dialogut.

“Kosova dhe Serbia duhet të vendosin për çështjen e dialogut. E di që BE-ja po përpiqet shumë të vendosë në tryezë ide të reja, tema për të cilat po bisedohen, për të ruajtur momentumin. Nuk është shumë argëtuese, unë e kam bërë këtë në të kaluarën. Bisedimet janë shumë të vështira, dhe e di që BE-ja po bën më të mirën që mundet që Serbia dhe Kosova ta respektojnë këtë. Këto çështje nuk janë të lehta, nëse do të ishin, do të zgjidheshin shumë kohë më parë. Duhet të kuptojmë vështirësitë, por jo të mbesim peng i tyre. Duhet të shikojmë se ku duam të shkojmë. A duam të ngecim në këtë kohë apo duam jetë më të mirë për njerëzit në Serbi. Por, nuk duhet që diplomatët amerikanë t’u tregojnë serbëve se çfarë të bëjnë”, tha Hill.