Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk ka shanse që të kalojë Projektligji për Trustin. Sipas saj, një tërheqje e re nga Trusti do të ishte shumë rrezik për sistemin financiar.
“Jo, nuk ka shanse. Më vjen keq për ata që kanë ngrit shpresa. Sikur të ndodhte do të ishe rrezik për sistemin financiar. Unë i kuptoj ata që e duan tërheqjen, por ka rrezik financiar. Ka mekanizma të tjerë për t’i ndihmuar ata që po e përjetojnë më rëndë këtë krizë”, ka thënë Kusari Lila në “Java Sonte Me Rronin”.
Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Florin Aliu, ka thënë se tërheqja e Trustit duhet të lejohet për shkak të inflacionit të madh, i cili sipas tij, ka prekur shumicën e qytetarëve në Kosovë.
“Kjo rritje e çmimeve nuk i prek të gjithë, por prek shumicën. 100 eurot janë një ndihmë momentale. Na e dimë që çfarë produkte mund t’i blejmë me këto 100 euro në këtë kohë. E ardhmja është një gjë e pasigurt. Në aspektin ekonomik, njerëzit janë të prirë të mendojnë për të tashmen. Ka pas rritje të çmimeve të përgjithshme dhe nuk ka shenja që ato mund të nivelizohen pas dy-tre muajve”, ka thënë Aliu.
Tërheqja e Trustit ka gjetur mbështetjen e partive opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë pro tërheqjes së re nga Trusti, ndërkohë pushteti e konsideron të dëmshme për ekonominë.
Projektligji për Trustin pritet të procedohet në Kuvend javën e ardhshme.